500 000 të vdekur nga Covid në SHBA, Dr.Fauci: U prekëm më keq se çdokush tjetër

schedule12:21 - 23 Shkurt, 2021

schedule 12:21 - 23 Shkurt, 2021

Nga Christina Maxouris, CNN

SHBA- ja ka regjistruar mbi 500 mijë viktima nga Covid-19, një shifër marramendëse që sipas ekspertëve sigurisht nuk duhej të ishte kaq e lartë.

“Nëse ne analizojmë të dhënat do të kuptojmë që kemi vepruar më keq se çdo vend tjetër pavarësisht se jemi një vend i zhvilluar dhe i pasur, tha Dr. Anthony Fauci.

Numri i viktimave në SHBA për shkak të Covid-19 është më i larti se në çdo vend tjetër- dhe më shumë se dyfishi i viktimave në Brazil. SHBA gjithashtu ka raportuar më shumë raste, me tani më shumë se 28 milion amerikanë kanë rezultuar pozitivë me Covid-19.

Ky numër është më shumë se dyfishi i rasteve në Indi  dhe gati trefishi i rasteve të regjistruara në Brazil.

Ekspertët kanë theksuar disa faktorë që mund të kenë kontribuar përkeqësimin e pandemisë, duke përfshirë mungesën e mesazheve të qarta nga lidershipi i vendit, udhëheqësit shtetërorë dhe lokalë, lehtësimin e kufizimeve shumë shpejt, grumbullimet e mëdha dhe rezistencën e vazhdueshme për mos të mbajtur maska dhe për të mos respektuar masat e tjera.

Ajo që SHBA duhet të bëjë tani

Mjekja e urgjencës Dr. Leana Wen tha se një moment historik  për ne është sigurisht numri i jetëve që  kemi shpëtuar “. Dhe tani, ajo thotë se është e shqetësuar për atë që mund të vijë.

“Frika ime më e madhe tani është vetëkënaqësia,” tha Wen të hënën për CNN.

Ndërsa shtetet në të gjithë vendin mund të raportojnë të dhëna pozitive, ekspertët përfshirë Wen kanë paralajmëruar se tani nuk është koha për t’u qetësuar – veçanërisht me variantet e koronavirusit që janë në qarkullim.

“Mënyra më e mirë që ti rikthehemi normalitetit është të shmangim rrijten e rasteve, të mbajmë maskat  dhe të respektojmë masat, tha Dr. Craig Spencer, drejtori i shëndetit global në mjekësinë e urgjencës në Qendrën Mjekësore të Universitetit Neë York-Presbyterian / Columbia.

“Shumica e njerëzve në këtë vend, pavarësisht rasteve të mëparshme dhe pavarësisht dy muajve të zhvillimit të vaksinës, shumica e njerëzve ende nuk janë të mbrojtur kundër Covid dhe mund të infektohen,” tha ai për  CNN.

Shefja e Qendrës për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, Dr. Rochelle Walensky tha gjatë një konferencë për Covid-19 të hënën se ndërsa shifrat mund të jenë normale, “rastet, shtrimet në spital dhe numri i viktimave  janë në nivele shumë të larta”.

Rastet e reja kanë rënë në mënyrë të qëndrueshme për pesë javë, tha Walensky. Por SHBA vazhdon të regjistrojë  mijëra raste të reja çdo ditë. Vetëm gjatë shkurtit janë regjistruar më shumë se dy milion raste të reja me Covid-19.

Shtrimet në spital kanë rënë që nga kulmi i tyre më 6 janar me më shumë se 132,400 pacientë Covid-19. Por më shumë se 55,400 njerëz mbeten të shtruar në spital me virusin.

Dhe çdo ditë, qindra njerëz  humbin jetën për shkak të Covid-19. Më shumë se 1,300 viktima  u raportuan të hënën, sipas të dhënave të Johns Hopkins – dhe më shumë se 52,000 janë raportuar këtë muaj.

“Ndërsa pandemia po shkon në drejtimin e duhur ka ende shumë punë për të bërë,” tha Walensky.

Shija dhe nuhatja mund të mos kthehen deri në 5 muaj pas infeksionit Covid-19

Nuhatja edhe shija mund të mos kthehen deri në 5 muaj pas infeksionit me Covid-19.

Një ekip në Universitetin e Quebec anketoi 813 punonjës të kujdesit shëndetësor të cilët rezultuan pozitivë me Covid-19. Gjatë infeksionit fillestar, më shumë se 70% e atyre që morën pjesë në sondazh raportuan se kishin humbur nuhatjen  dhe 65% raportuan se kishin humbur shijen.

Pesë muaj më vonë, kur ata testuan një provë në shtëpi, 17% e njerëzve thanë se kishin ende humbje të nuhatjes dhe 9% e njerëzve kishin humbje të shijes, sipas studiuesve.

“Reultatet tona tregojnë se nuhatja dhe shija e humbur për shkak të Covid mund të vazhdojë  edhe pas 5 muajsh kur njerëzit janë rikuperuar nga Covid-19”, tha në një deklaratë Dr. Johannes Frasnelli i Universitetit të Quebec.

CDC ka kërkuar mbledhje urgjente të  këshilltarëve të vaksinave

Ndërsa vazhdojnë garat për të marrë më shumë vaksina , një tjetër vaksinë së shpejti mund të marrë dritën jeshile për tregun amerikan.

Johnson & Johnson njoftoi në fillim të këtij muaji se kishte aplikuar për një autorizim emergjence të përdorimit nga Administrata e Ushqimit dhe Barnave për vaksinën e saj me një dozë Covid-19.

Të Premten, një grup këshillimor i FDA do të diskutojë mbi aplikimin dhe të dhënat e kompanisë. Bazuar në të dhënat, FDA mund të zgjedhë t’i japë vaksinës dritën jeshile.

Pastaj, këshilltarët e CDC-së do të diskutojnë rekomandimet e tyre lidhur me  shpërndarjen e vaksinës, të cilat më pas do të duhet të pranohen zyrtarisht nga CDC.

CDC njoftoi një takim urgjent të këshilltarëve të saj të vaksinave nga 28 shkurt deri më 1 mars. Ndërkohë, Johnson & Johnson do të dëshmojë të martën se mund të japë doza të mjaftueshme deri në fund të marsit për të vaksinuar më shumë se 20 milion Amerikanë – duke ndihmuar në furnizimin e vendit.

Deri më tani, më shumë se 44 milion amerikanë kanë marrë të paktën dozën e tyre të parë të një vaksine Covid-19, sipas të dhënave të CDC-së.

Rreth 19.4 milion kanë marrë të dyja dozat. Kjo është më pak se 6% e popullsisë amerikane. Përktheu Sonila Backa/abcnews.al