50-150 euro personi për t’i kaluar në kufi: Transportonin emigrantë të paligjshëm, dy të arrestuar në Elbasan

schedule10:53 - 30 Qershor, 2022

schedule 10:53 - 30 Qershor, 2022

Policia në Elbasan ka goditur dy raste të veprimtarisë kriminale në fushën e dhënies ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit. Me finalizimin e operacionit të koduar “Danubi 7″ u vunë në pranga dy persona që u kapën duke transportuar 7 emigrantë të paligjshëm, me 2 automjete.

Në pranga është vënë N. M., 36 vjeç, banues në Pogradec, për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”, pasi u kap nga shërbimet e Policisë, në fshatin Xibrakë, Librazhd, duke transportuar me një automjet, 3 emigrantë të paligjshëm, të cilëve iu kishte premtuar kalimin drejt vendeve të BE-së, kundrejt pagesës 50-150 euro për person;

Po ashtu u arrestua edhe L. L., 34 vjeç, banues në Korçë, për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”, pasi është kapur nga shërbimet e Policisë, në aksin rrugor Labinot-Elbasan, duke transportuar me një automjet, 4 emigrantë të paligjshëm, të cilëve iu kishte premtuar kalimin drejt vendeve të BE-së, kundrejt pagesës.

Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar 2 automjetet, 4 aparate celulare dhe një sasi parash e dyshuar e përfituar nga kjo veprimtari e paligjshme. /abcnews.al/