Politika homazhe në ditën e dëshmorëve të Kombit

schedule10:30 - 5 Maj, 2019

schedule 10:30 - 5 Maj, 2019

Edhe këtë vit në nder të dëshmorëve të kombit politika shqiptare ka kryer homazhe tek varrezat e të rënëve për atdhe. Edhe pse të ndarë, përfaqësues të gjithë spektrit politik vendosën kurora me lule dhe ndanë mesazhet e tyre, në këtë ditë përkujtimore.

Politika ka kryer homazhe në varrezat e “Dëshmorëve të Kombit” në ditën përkujtimore ndaj të rënëve në Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare. Kurora me lule pranë memorialit “Nëna Shqipëri” vendosën presidenti Ilir Meta, kryeministri Rama, si dhe kreu i bashkisë Tiranë Erjon Veliaj.

Kreu i shtetit Ilir Meta duke folur përpara mediave, një mesazh reflektimi ja nisi politikës në vend.

Meta: “Është dita e Qemal Stafës dhe të gjithë të rinjve dhe të rejave të Shqipërisë, që bënë sakrificat më sublime për t’i rikthyer lirinë dhe pavarësinë vendit, por njëkohësisht edhe për ta vendosur Shqipërinë në anën e duhur të historisë, në atë anë ku për fat të mirë ndodhemi edhe sot. Pikërisht sot është një ditë nderimi për sakrificat e dëshmorëve, për flijimin e tyre, për ëndrrat e tyre, por është edhe ditë reflektimi për të vendosur në plan të parë interesat e vendit, të së ardhmes së tij europiane, të stabilitetit përmes dialogut dhe bashkëpunimit”.

Për Kryetarin e Kuvendit Gramoz Ruci, i cili homazhet e tij i bëri prane varrezave të deshmoreve te Atdheut ne Fier, kjo nuk është ditë për politikë.

Ruçi: “Çdo pyetje tjetër dhe përgjigje për këtë datë e këtë ngjarje do ta bënin pis gjakun heroizmin dhe patriotizmin e atyre që dhanë jetën për çlirimin e atdheut”.

Edhe në këtë 5 maj, si çdo vit, politika u shfaq e ndarë.

Kreu i demokratëve  Basha dhe lideri historik i tyre Berisha, vendosën kurorat me lule pranë varrezave të dëshmorëve.

Kreu i PD Basha homazhet i vijoi duke vendosur një buqetë lulesh aty ku prehen 22 intelektualët e pushkatuar gjatë regjimit komunist, të akuzuar për hedhjen e bombës në ambasadën sovjetike.

Në mesazhin e tij, kryedemokrati nderoi luftën për liri.

Basha: “Është një ditë nderimi, respekti, mirënjohjeje e thellë kombëtare, patriotike dhe individuale, ndaj qindra, mijëra burrave dhe grave, të rinjve dhe të rejave që flijuan jetët e tyre në altarin e lirisë kombëtare.

Është po kështu një ditë reflektimi, për t’u bashkuar të gjithë sërish për të mbrojtur lirinë dhe vlerat e saj, të vetëdijshëm se për lirinë shkohet në betejë çdo ditë”.

Kreu i qeverisë Rama dhe ai i bashkisë Veliaj, mesazhet e tyre i ndanë gjatë aktivitetit organizuar me veteran të luftës nacional Çlirimtare.

Duke shënjestruar jo pak institutin e studimeve për krimet dhe pasojat e komunizmit, kryeministri Rama kërkoi të bëj një dallim të madh mes atyre që sipas tij, historia e shkruar nga fitimtarët shpesh i bën bashkë…

Rama: “Nuk e vlerësojmë si duhet gjakun e dëshmorëve, nëse i hyjmë në hak kujtdo që ka qenë në një pozicion të ndryshëm dhe ka synuar të njëjtën gjë, çlirimin e vendit nga okupatorët e huaj. Çfarë ndodhi e si ndodhi në pikëpamje të luftës për çlirim deri në 29 nëntor të vitit 1944 nuk mund të jetë kurrë objekt i një instituti që paguhet nga taksat e shqiptarëve. Çfarë erdhi pas, ka qenë objekt i punës së atij instituti e i takon Kuvendit të Shqipërisë të bëjë të gjitha vlerësimet e nevojshme, në raport me ligjin, apo me shkeljen e ligjit, në raport me dobinë, apo me dëmin e shkaktuar nga një i tillë institut”.

Për kreun e bashkisë Erion Veliaj, forca politike ku bën pjesë është e vetmja që ka patur një qëndrim të pandryshuar për heronjtë e kësaj dite.

Veliaj: “Ndaj Bashkia e Tiranës ka vendosur që të akordojë titullin “Simbol i qytetit të Tiranës” në datën 5 maj 2019, Ditës së Dëshmorëve dhe 75-vjetorit të Çlirimit të Atdheut i jep titullin “Simbol i qytetit të Tiranës” Organizatës Kombëtare të Dëshmorëve të LANÇC-it dhe dëshmorëve të tjerë dega Tiranë, “Për veprimtarinë e saj të vazhdueshme në hulumtimin, ruajtjen dhe promovimin e vlerave patriotike dhe historike të veprave dhe sakrificave vetëmohuese të të rënëve për pavarësinë, lirinë e atdheut dhe mbrojtjen e rendit publik. Veprimtaria e saj e vazhdueshme e ka shndërruar këtë organizatë në simbol të qytetit për vlerat që ajo pasqyron”.

Njëkohësisht, si çdo vit, pas politikës, nderime në varrezat e dëshmorëve zhvilluan edhe mbështetësit e regjimit komunist.

/ABC News Albania 24/7

 

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!