5 maji është ditë zie në Sarajevë në kujtim të fëmijëve të vrarë gjatë luftës në vitet ’90.
Ishte qeveria e Sarajevës, që në vitin 2019, mori vendim që 5 maji të shënohet si Dita e Kujtimit për Fëmijët e Vrarë.
Muzeu Historik i Bosnje dhe Hercegovinës, që nga shkurti i vitit 2020, po mbledh sende personale të fëmijëve të vrarë gjatë rrethimit, të cilat janë ekspozuar në kuadër të instalacionit memorial “Dhoma e Bardhë”.
Sipas të dhënave zyrtare, 1.601 fëmijë u vranë gjatë katër viteve të rrethimit të Sarajevës (nga 1992-në 1995).
Sipas vendimeve të gjykatave ndërkombëtare, së paku 53 prej tyre janë vrarë nga snajperët, ndërsa më shumë se 14 mijë janë plagosur.
Për rrethimin e Sarajevës, Gjykata Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë në Hagë ka dënuar me burgim të përjetshëm Stanisllav Galliçin, ndërsa Dragomir Millosheviç është dënuar me 29 vjet burg.
Të dy ata kanë qenë komandantë të njësisë ushatarke Sarajevë-Romanija, i cili e ka mbajtur qytetin nën rrethim për 44 muaj.
Disa pjesë të dënimeve të përjetshme të Radovan Karaxhiçit, ish-president i Republikës Sërpska, dhe Ratko Mlladiçit, ish-komandant i Ushtrisë së Republikës Sërpska, lidhen po ashtu me terrorizimin e popullsisë civile të Sarajevës.
Para Tribunalit të Hagës është akuzuar edhe ish-presidenti i Serbisë, Sllobodan Millosheviç, por ai vdiq gjatë procesit, në mars të vitit 2006.


