5 ditë në shkelje të afatit, Bino në “Log.”: Komiteti Teknik do të mblidhet, ka bërë bilance

schedule21:33 - 25 Maj, 2021

schedule 21:33 - 25 Maj, 2021

Prej pesë ditësh masat e Komitetit Teknik që menaxhon pandeminë e Covid 19 në Shqipëri kanë rënë.

Që prej pesë majit kur vendosën për heqjen e karantinës për të gjithë ata që hyjnë në vendin tonë nga Greqia dhe Maqedonia e Veriut dhe hapjen e pjesshme të auditoreve ekspertët e shëndetësisë nuk janë mbledhur për të shqyrtuar situatën  e koronavirusit në vend.

Shefja e departamentit të Sëmundjeve Infektive, Silva Bino e ftuar në emisionin “Log.” me gazetarin Endri Xhafo tha se Komiteti Teknik do të mblidhet dhe se ka zhvilluar diskutime për situatën epidemiologjike.

Bino gjithashtu tha se është vënë re një ulje drastike e shifrave, rënie e cila vlerësohet e qëndrueshme. Bino theksoi se rënia e qëndrueshme tregon një rënie të virusit, duke shtuar se sërish është mes nesh sepse ende nuk është zhdukur dhe për këtë arsye qytetarët duhet të tregohen të kujdesshëm.

“Komiteti do të mblidhet, nuk është se nuk ka diskutuar të gjitha masat sepse diskutimet bëhen edhe online dhe mund të ketë edhe mbledhje të cilat nuk transmetohen. Komiteti ka bërë një bilanc të situatës ku jemi,të shifrave, të gjithçkaje dhe po ashtu në krahasim me vendet e tjera”, tha Bino.

Kujtojmë që më 20 maj urdhrit të ministres së Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu i ka përfunduar afati dhe prej kësaj date në Shqipëri ligjërisht nuk është e vlefshme asnjë prej masave anti-Covid, ndërsa Komiteti Teknik ende nuk është shprehur.

/abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!