“4 rreziqe nga Omicron”, nga sot hyjnë në fuqi masat e reja anti-COVID në Kosovë

schedule07:39 - 6 Dhjetor, 2021

schedule 07:39 - 6 Dhjetor, 2021

Qeveria e Kosovës ka marrë masa të reja që hyjnë në fuqi nga sot me qëllim parandalimin e përhapjes së COVID, sidomos tashmë që është zbuluar varianti i ri Omicron. Disa nga masat janë maska e cila mbetet e detyrueshme. Gjithë personat që hyjnë në Kosovë nga 3 janari e më pas duhet të kenë dëshminë e vaksinimit me dy doza.

Masat anti-Covid që hyjnë në fuqi nga sot:

  • Të gjithë personat që hyjnë në Republikën e Kosovës duhet të posedojnë certifikatën e vaksinimit të plotë. Kur personi është i vaksinuar vetëm me një dozë, krahas saj do të kërkohet testi RT-PCR negativ ose dëshmia se personi ka kaluar COVID-19.
  • Nga 3 janari 2022 për hyrje në Republikën e Kosovës do të vlejë vetëm dëshmia e vaksinimit të plotë. Për të inkurajuar vaksinimin dhe për të lehtësuar qasjen në vaksinim, në Aeroportin e Prishtinës dhe në pikat kryesore kufitare tokësore do të vendosen ekipet mobile të vaksinimit.
  • Tani që ka filluar vaksinimi edhe i qytetarëve mbi 12 vjeç e sipër, nga kërkesa për të poseduar njërën nga dëshmitë e lartpërmendura, do të lirohen personat nën 12- vjeç, personat me dëshmi mjekësore. Personat e tillë duhet të paraqesin testin RT-PCR negativ jo më të vjetër se 48 orë.
  • Për të evituar mbingarkesën spitalor, mbylljen e shkollave dhe të ekonomisë, punonjësve të institucionet publike dhe private, udhëtarët që shërbehen me transport publik dhe privat, nxënësit dhe studentët, shfrytëzuesit e qendrave tregtare dhe gastronomisë, do t’u kërkohen dëshmitë si vaksinimi i plotë dhe i pjesshëm, bashkë me të rezultatin negativ të PCR.
  • Dëshmia e vaksinimit të plotë po ashtu do të kërkohet edhe nga personat që përdorin transportin publik.
  • Mbajtja e maskës vazhdon të jetë obligative. Sipas masave, kufizimi i lëvizjes do të vazhdojë të jetë në fuqi nga mesnata deri në orën 05:00. Ndërkaq, as orari i gastronomisë nuk ka ndryshuar, ky sektor lejohet të punojë deri në ora 23:00, ndërkaq muzika ndalohet pas orës 21:30.
  • Sa i përket arsimit, të gjitha nivelet e arsimit parauniversitar do të punojnë me prani fizike dhe orar të rregullt, ndërkaq niveli universitar do të lejohet të punojë me 50 për qind të kapaciteteve dhe studentëve do t’u kërkohet që të paraqesin dëshmitë e vaksinimit apo testeve negative, nëse duan të hyjnë në objektet shkollore.
  • Klubet e natës dhe organizimi i ahengjeve vazhdon të jetë i ndaluar, thuhet në vendimin e Qeverisë së Kosovës. (KËTU mund t’i gjeni të gjitha masat).

Ishte kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ai lajmëroi për katër rreziqe me të cilat mund të përballemi së shpejti nga varianti i ri i COVID-19, “Omicron”. Në një konferencë për media bashkë me Ministrin e Shëndetësisë, Rifat Latifi, Kurti mes tjerash tha se ekziston rreziku për një valë të re nga ky variant. Kurti ka thënë se këto masa janë marrë duke u bazuar në katër pika: ardhja e mërgatës në Kosovë për festat e fundvitit, situata e rëndë epidemiologjike në shtetet prej nga pritet të vijnë pjesë dërmuese e mërgimtarëve, shkalla e ulët e vaksinimit në Kosovë, dhe shfaqja e variantit të ri të COVID-19, i cili është më lehtë i transmetueshëm, Omicron. be.k/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!