Një person është gjetur i djegur dhe i pajetë brenda mjetit të tij në qytetin e Korçës. Viktima para se ti jepte fund jetës kishte blerë benzinën në një karburant. Familjarët e 39 vjeçarit thonë se i afërmi i tyre nuk kishte probleme ekonomike dhe as nuk vuante nga depresioni.
Një 39 vjeçar i ka dhënë fund jetës, duke u djegur me benzinë brenda mjetit të tij, mesnatën e së premtes. Gjergji Babo, sipas hetimeve të policisë, kishte marrë një bidon me benzinë në një karburant të qytetit dhe më pas i ka vënë flakën vetes, teksa mjeti ishte në ecje e sipër, në afërsi të ish kampit të punëtorëve. Viktima ka gjetur vdekjen nga plagët, ndërsa flakët e mjetit ku i dha fund jetës, kanë dëmtuar edhe tre makina të tjera të parkuara.
Trupi i Babos u dërgua në morgun e spitalit, ku po i nënshtrohet ekspertizës mjeko-ligjore, ndërsa paraprakisht policia thotë se viktima mund ta ketë ndërmarre aktin ekstrem në kushtet e gjendjes së rënduar psikologjike. Familjarët jashtë kamerave deklarojnë se nuk e dinë arsyen pse i afërmi i tyre është vetëdjegur. Sipas tyre ai nuk kishte probleme ekonomike dhe as nuk kishte shfaqur shenja depresioni. 39 vjeçari jetonte me gjyshen, pasi familja kishte emigruar prej vitesh në SHBA./abcnews.al