I ftuar në studion e “ABC News” zëvendës drejtori i Rendit dhe Sigurisë ne Policinë e Tiranës, Dhimitraq Ziu ka folur për masat e marra për mbarëvajtjen e festave të fundvitit. Ai shprehet se nëpërmjet këtyre masave synohet rritja e sigurisë për qytetarët dhe parandalimi i ngjarjeve kriminale.
“Policia e Tiranës për festat fundvitit ka marrë një sërë masash. Strukturat e Policisë janë në gatishmëri të përforcuar. Garanton rendin e sigurisë publike në të gjithë territorin e Tiranës, në të gjitha qendrat tregtare, po kështu janë marra masa për të garantuar rendin dhe sigurinë në të gjitha sheshet ku do të zhvillohen ceremoni festive, kryesisht në sheshin qendror”, deklaroi ai.
Më tej ai theksoi se vendi është në situatë të jashtëzakonshme, janë marrë në ruatje shumë objekte që janë nxjerrë të pabanueshme. Por edhe pse këto masa janë tejzgjatur jemi të gatshëm që të garantojmë sigurinë”, u shpreh ai.
“Kemi llogaritur 350 forca për garantimin e vendit të sigurisë publike”, u shpreh Ziu.
Ai theksoi se masat merren në bazë të një analizë që realizohet. Më tej ai u shpreh se festohet viti i tretë që Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë vrasjet i ka të zbuluara 100 % edhe me autorë të kapur 100 %.
Gjithashtu është realizuar parandalimi i veprave penale dhe vrasjeve, tha Ziu.
“Siguria në Tiranë është e garantuar dhe Policia, është në eficensë të plotë me masat që merr. Numri për çdo rast urgjence është 112 dhe Komisariati Digjital është i hapur. Policia do të jetë e vendosur në të gjitha kryqëzimet dhe në të gjitha akset rrugore”, tha Ziu./abcnews.al