3,100 shqiptarë më shumë vdiqën në fund të 2020, Senja: Si shpjegohet kjo rritje dhe ndikimi i Covid?

schedule17:56 - 19 Shkurt, 2021

schedule 17:56 - 19 Shkurt, 2021

Në bazë të krahasimi të shifrave të publikuara nga INSTAT për vdekjet e tremujorit të katërt të vitit 2020, ka një rritje të fataliteteve gjatë tre muajve të fundit të vitit. Për të folur më shumë rreth këtyre konstatimeve shqetësuese, i ftuar në ABC pasditen e së premtes ishte Emirjon Senja, kryeredaktor i Abcnews.al

Në bazë të përllogaritjeve që ka bërë duke iu referuar shifrave të INSTAT në tre vitet e fundit, Senja thotë se jo vetëm që rritja e numrit të të vdekurve është dramatike, por nuk dihet se cili ka qenë roli i pandemisë në këto shifra.

Për më shumë detaje, lexo edhe: SHIFRAT/ Dalin “tepër”, pse dhe si vdiqën 3 100 shqiptarë gjatë fundit të 2020?

“Në bazë të krahasimeve, kemi një rritje të vdekshmërisë me 3900 plus, në raport me 2019. Sa prej këtyre vdekjeve janë prej pandemisë? Rritja e numrit të vdekjeve ka filluar që në tremujorin e tretë, pra në periudhën korrik, gusht, shtator.”

Pyetja që ngre Senja është si vdiqën më shumë se 3100 shqiptarë përgjatë tetorit, nëntorit dhe dhjetorit 2020? “Si kanë vdekur këto 3100 shqiptarë plus dhe si? Ku ?”

Po ashtu, kryeredaktori i Abcnews.al u shpreh se është kurioz të dijë sesi do të raportohen këto vdekje nga INSTAT në maj. Pra si do të listohen shkaqet e këtyre vdekjeve që dukshëm janë më të larta se mesatarja e të paktën tre viteve të shkuara.

Gjatë bisedës në studio u prek edhe çështja e sigurimit Bonus Malus në Shqipëri.

Sipas asaj që u shpreh Emirjon Senja, drafti për këtë projektligj ka qenë i ndërtuar mirë, por ai shton se më pas u “futën duart” në të dhe përfundimi është diçka tjetër.

“Filloi të futeshin duart në draft, e kam ndjekur se kam qenë i interesuar, mendoja se po bëhej një gjë e mirë. Pastaj kamë parë sesi është ndërhyrë nga interesa të ndryshme. Tashmë kemi një projektligj që nuk ngjan fare me atë që nisi. Është prekur zemra, kompanitë nuk janë më të detyruara që ta aplikojnë. Neni tetë thotë se nëse duan, kompanitë mund ta aplikojnë sistemin.”

Drafti fillestar rriste çmimin e sigurimeve për shoferët problematikë dhe e ulte për ata të rregullit, por tashmë me varionin që ka projektligji, sipas Senjës, fitojnë vetëm kompanitë e sigurimit.

“Po përpiqen të krijojë një lloj oligopoli. Do fillojnë të gjithë nga zëroja, dhe nga sjellja do u rriten koefiçentët. Si do u bëhet shoferëve të mirë? Do jenë të detyruar që të paguajnë njëlloj. I nxis deputetët në Kuvend që të bëjnë ndryshime.” sb/abcnews.al/