SHIFRAT/ Dalin “tepër”, pse dhe si vdiqën 3 100 shqiptarë gjatë fundit të 2020?

schedule12:17 - 19 Shkurt, 2021

schedule 12:17 - 19 Shkurt, 2021

Nga Emirjon Senja

INSTAT publikoi dje shifrat e të vdekurve gjatë tremujorit të katërt të vitit 2020, e cila përkon me pikun e valës së parë të pandemisë në vend duke u pasqyruar gjithashtu edhe në rritjen e numrit të jetëve të humbura.

Sipas INSTAT, gjatë tremujorit të katërt 2020, ndërruan jetë 9 397 shqiptarë. Kjo është një shifër shumë e madhe, pasi gjatë të njëjtës periudhës të viteve të mëparshëm, numri mesatar i vdekjeve është vërtitur në rreth 5 400.

Rrjedhimisht, për të parën herë gjatë viteve të fundit, shtesa natyrore e popullsisë së Shqipërisë ishte nën zero. Gjatë tremujorit të katërt 2020 lindën 7 011 fëmijë, ndërsa vdiqën 9 397 qyetarë, me një diferencë prej -2 386 persona.

Shtesa natyrore e popullsise gjate T4 2020 sipas INSTAT

Pranohet se rritja e numrit të të vdekurve gjatë kësaj periudhe ka ardhur për shkak të pandemisë, megjithatë shifrat nuk korrespondojnë duke lënë pa shpjegim zyrtar se si vdiqën më shumë se 3100 shqiptarë përgjatë tetorit, nëntorit dhe dhjetorit 2020.

Vdekjet gjate tremujorit te trete, 2017-2020

Krahasimi i shifrave

Abcnews.al ka bërë një krahasim të shifrave zyrtare të të vdekurve total gjatë tremujorit të katërt 2020 të dhëna nga INSTAT me ato të të vdekurve të deklaruar nga koronavirusi që publikojnë institucionet shtetërore duke dalë në përfundime që kërkojnë shpjegim prej autoriteteve për shkakun e vdekjes së mijëra shqiptarëve gjatë fundit të 2020.

Referuar shifrave të INSTAT, gjatë tremujorit të katërt 2020 kanë ndërruar jetë rreth rreth 3 900 qytetarë më shumë se sa mesatarja e vdekjeve gjatë të njëjtës periudhë në tre vitet e fundit.

Nga ana tjetër, Ministria e Shëndetësisë ka konfirmuar përgjatë periudhës 1 tetor31 dhjetor (T4) 793 persona të vdekur nga koronavirusi. Në 31 dhjetor 2020 u deklaruan 1 181 vdekje totale të shkaktuara nga koronavirusi, ndërsa në 1 tetor 2020 kjo shifër ishte 388, me një diferencë plus 793 të vdekur gjatë tetor-dhjetor 2020.

Vdekjet gjate tremujorit te katert, 2017-2020

Kjo shifër është rreth pesë herë më e vogël se sa numri i vdekjeve që dalin tepër gjatë tremujorit të katërt 2020. Pra, pranohet se pandemia ka rritur numrin e vdekjeve, por shifrat zyrtare të të vdekurve nga koronavirusi nuk i afrohen fare numrit të të vdekurve mbi mesataren e viteve të fundit përgjatë tremujorit të katërt.

Sepse, nëse nga kjo shifër, pra numri i vdekjeve sipër mesatares së viteve të fundit, do të zbrisnim vdekjet e deklaruara nga koronavirusi (pra, 794 të vdekur gjatë T4), mbeten edhe rreth 3 100 vdekje plus nga mesatarja e vdekjeve gjatë tremujorit të katërt në vitet e fundit.

Pyetja që shtrohet në këtë rast është: Si dhe ku vdiqën më shumë se 3 100 shqiptarë gjatë muajve tetor, nëntor dhe dhjetor 2020?

Gjatë kësaj periudhe nuk ka asnjë ngjarje madhore që të shkaktojë një kërcitje kaq të madhe në numrat e të vdekurve, përveç pandemisë.

Ndërkohë, në spitale nga koronavirusi kanë vdekur sipas shifrave zyrtare 793 persona, ç’ka tregon se pjesa tjetër kanë ndërruar jetë në shtëpi ose janë deklaruar si vdekje për shkaqe të tjera.

Ky është një përfundim që del nga krahasimi i shifrave, megjithatë janë institucionet ato që duhet të tregojnë se si dhe ku vdiqën më shumë se 3 100 shqiptarë gjatë tremujorit të katërt 2020. /abcnews.al