3.4 milionë euro me “Toyota”, lihen në burg 4 të arrestuarit

schedule10:25 - 12 Korrik, 2018

schedule 10:25 - 12 Korrik, 2018

Gjykata për Krimet e Rënda la në burg katër të ndaluarit për 3.4 milionë eurot e gjetura në mjetet Toyota në Portin e Durrësit. Ata u paraqitën sot në këtë gjykate, që ka marrë në kompetencë këtë dosje.

4 të arrestuarit pas kapjes së 3.4 milionë eurove në portin e Durrësit do të vazhdojnë të qëndrojnë në burg, pas rivlerësimit të masës së sigurisë nga Gjykata e Krimeve të Rënda.

Kjo gjykatë la në fuqi të njejtin vendim atë të “arrest me burg” të caktuar nga gjykata e Durresit më 28 Qershor, e cila shpalli moskompetencë, duke e kaluar çështjen te Gjykata e Krimeve të Rënda. Të pranishëm në sallën e gjyqit ishin, Edi Lika, administrator i kompanisë që solli makinat nga Belgjika, djali i tij Klevis Lika, shoferi i trailerit Agim Çeka dhe Alban Mollaymeri, pronar servisi.

Ndryshe nga seanca gjyqësore e zhvilluar në Durrës, ku media ishte e pranishme gjatë gjithë procesit, te Gjykata e Krimeve të Rënda ndodhi e kundërta. Dy prokurorët e çështjes, Ened Nakuçi dhe Doloreza Musabelli, kërkuan që mediat të mos ishin të pranishëm pasi mund të dalin fakte që cënojnë hetimin.

Kjo gjë u kundërshtua nga avokatët mbrojës të të pandehurve. Sipas tyre, prokuroria nuk ka sjellë asnjë akt të ri ligjor.

Saimir Vishaj: “Absolutisht ishin të njëjtat prova dhe dyshimet që ishin në Gjykatën e Shkallës së Parë Durrës. Ndërkohë është shtuar akuza e re që ka të bëjë me grup të strukturuar kriminal dhe kryerja e veprave kriminale kryer nga grup i strukturuar kriminal”.

Ndërkohë në kerkim për këtë çështje vijojnë të mbeten dy kushërinjtë Alfred dhe Elvis Vladi, të cilët sipas prokurorisë, dyshohet së janë porositesit e makinave Toyota. Prokuroria e Krimeve të Rënda ka dërguar letërporosi në 3 shtete, Gjermani, Belgjikë dhe Angli, ku pritet të merret informacion i detajuar, në lidhje me aktivitetin e katër personave që mbahen në qeli, si dhe zbulimin e origjinës së parave të gjetur dy automjete.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!