Jemi mësuar të dëgjojmë pensionistët të ankohen për shpërblimin që marrin për fundvit, por në vend të tyre kësaj herë po “protestojnë” gjyqtarët. KPA përmes një njoftimi për shtyp ka bërë me dije se punonjësit e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, kanë mbetur pa shpërblim për fundvit dhe “fajin” ia lënë qeverisë. Vendimi i Këshillit të Ministrave sipas KPA nuk mundësohet për gjyqtarët dhe këshilltarët ligjorë, pasi është përcaktuar të jepet nga fondi i pagave të vitit 2021. Referuar sërish njoftimit të KPA fondi për pagat e personelit ishte e pamundur që të kishte teprica, kësisoj nuk është mundësuar shpërblimi i gjyqtarëve dhe të gjithë punonjësve.
“Këshilli i Ministrave me vendimin nr. 801, datë 20.12.2021, për një ndryshim në vendimin e Këshillit të Ministrave nr. 929/2010, “Për krijimin dhe përdorimin e fondit të veçantë”, vendosi që punonjësit e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit të mund të përfitojnë një shpërblim, që nuk tejkalon nivelin e një page mujore. Sipas këtij vendimi efekti financiar i shpërblimit duhet të përballohet nga fondi që kishte gjendje Kolegji për pagat e personelit, sipas buxhetit të vitit 2021.
Bëjmë me dije se, Kolegjit të Posaçëm të Apelimit me ligjin vjetor të buxhetit për vitin 2021, i është miratuar një fond për pagat e personelit më i vogël se nevojat e tij për të paguar punonjësit sipas strukturës organike të miratuar nga Kuvendi i Shqipërisë, problematikë kjo, e cila është rekuperuar vetëm në muajin tetor të këtij viti. Në këto kushte, fondi i destinuar për pagat e personelit në Kolegj, ishte e pamundur që të kishte teprica, të cilat lejonin mundësinë e shpërblimit të gjyqtarëve dhe të gjithë punonjësve të tij. Institucionet përkatëse të ekzekutivit, kanë qenë të informuar nga sistemi i thesarit, por dhe zyrtarisht nga Kolegji për situatën e fondit të pagave të personelit në muajin dhjetor 2021”, thuhet në njoftim.
Kolegji sqaron se teprica e vetme në momentin e miratimit të vendimit të qeverisë, ishte në shumën 465 mijë lekë. Sipas KPA, kjo shumë do të ndahet ndërmjet punonjësve administrativë të Kolegjit, me nga 25 mijë lekë për person.
“Teprica e vetme në këtë fond, në momentin e miratimit të vendimit të sipërcituar, ishte në shumën 465 000 lekë, për rrjedhojë pa efekt real domethënës për punonjësit e Kolegjit. Për shkak se ky fond i papërdorur, është i pamjaftueshëm për të mundësuar dhënien e shpërblimit për të gjithë punonjësit e Kolegjit, Mbledhja e Gjyqtarëve vendosi që të mos përfitojnë shpërblim sipas këtij vendimi të Këshillit të Ministrave, gjyqtarët dhe këshilltarët e Njësisë së Shërbimit Ligjor. Shuma prej 465 000 lekësh do të ndahet ndërmjet punonjësve administrativë të Kolegjit, në një shumë bruto prej 25.833 lekësh për person”, vijohet në njoftim.
Gjytarët e vettingut do të marrin më pak shpërblim se pensionistët këtë vit. Për këta të fundit qeveria miratoi shpërblimet e fund-vitit me nga 50 mijë lekë (të vjetra) secili. Por a kanë të drejtë të ankohen gjyqtarët duke pasur parasysh rrogat e majme që marrin, ndër më të lartat që pas reformës së re në drejtësi?