22 vite nga bombardimet e NATO-s, Rama: Datë e pashlyeshme për marrëdhëniet shqiptaro-amerikane

schedule08:41 - 24 Mars, 2021

schedule 08:41 - 24 Mars, 2021

Sot, në 22 vjetorin e nisjes së bombardimeve të NATO-s ndaj bazave të forcave serbe në luftën e Kosovës, kryeministri Edi Rama e ka nisur ditën duke kujtuar fjalimin e presidentit Bill Clinton. Në këtë datë, 22 vite më parë, ish-presidenti amerikan dha lajmin para amerikanëve se SHBA-të do t’u bashkoheshin aleatëve të NATO-s për të ndërhyrë në Kosovë.

Në një postim në Twitter, Rama shkruan se adresimi historik i Presidentit Bill Clinton për “bombardimin e regjimit nacional-socialist të Beogradit në mbrojtje të Kosovës, e bën datën e sotme një datë të pashlyeshme në historinë e marrëdhënieve shqiptaro-amerikane.”

Në fjalimin e mbajtur në vitin 1999, Clinton shprehej se “trupat serbe po lëvizin nga një fshat tek tjetri, po bombardonin vendbanimet civile dhe po digjnin shtëpitë.

“Ne po shohim njerëz të pafajshëm, të përzënë me forcë nga shtëpitë e tyre, njerëz që me forcë janë vendosur para togave të pushkatimit dhe gjuajtur me plumba. Burrat kosovarë janë ndarë nga familjet e tyre, prindërit dhe fëmijët bashkë, të vënë në rresht, janë gjuajtur me një herë me armë zjarri. Kjo që po ndodh në Kosovë, nuk ka asgjë të ngjashme me luftën dhe me ligjet tradicionale të luftës; kjo është një luftë e padrejtë e kryer me të gjitha arsenalet ushtarake ndaj njerëzve të pafajshëm që nuk mund të mbrohen dhe kur…udhëheqësit duan vetëm paqe. Pra, të luftojmë që ta mbyllim këtë tragjedi e cila për ne është një kërkesë morale.”

POSTIMI

“Adresimi historik i Presidentit Bill Clinton për bombardimin e regjimit nacional-socialist të Beogradit në mbrojtje të Kosovës së martirizuar, e bën datën e sotme një datë të pashlyeshme në historinë e marrëdhënieve shqiptaro-amerikane.”

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!