Sot u bënë 9 vite nga vrasja e protestuesve Aleks Nika, Zyber Veizi, Faik Myrtaj dhe Hekuran Deda në Bulevardin përpara Kryeministrisë. Edi Rama mungoi për herë të parë në homazhe, ndërsa familjarët e 4 viktimave kërkojnë ende drejtësi.
9 vjet më parë, Aleks Nika, Zyber Veizi, Faik Myrtaj dhe Hekuran Deda, lanë familjarët në shtëpi, dhe u nisën drejt Tiranës.
Edi Rama në krye të opozitës socialiste kishte thirrur një protestë kombëtare, kundër Ilir Metës, i cili u shfaq në një video me Dritan Priftin.
Duke e akuzuar për korrupsion, Rama kërkoi rrëzimin e qeverisë, por të vetmit që u rrëzuan, ishin trupat e 4 protestuesve.
Çdo vit Edi Rama ka udhëhequr homazhet për ta, por këtë vit, mungoi, sepse është në Ukrainë. Mëkëmbësi i tij, Taulant Balla priti familjarët.
Si fillim një takim në kryeministri, aty nga ku u qëllua mbi të afërmit e tyre. Mark Nika, xhaxhai i Aleksit ka shprehur zhgënjimin se pse Edi Rama, prej 6 vitesh në qeveri nuk ka arritur të bëjë drejtësi dhe të dënojë ekzekutorët.
I pyetur për këtë çështje, Mark Nika nuk foli për mikrofonin e ABC-News, duke thënë: “Jam shumë i ngarkuar. Nuk mund të flas sepse unë nuk jam i lirë të them atë që dua. Unë e di kush ma ka fajin”.
Homazhet vijuan në bulevard, aty ku 4 pllaka shënjojnë vendet ku plumbat e Gardës së Republikës shpuan trupat e 4 protestuesve.
Ana Veizi i ka ende të freskët lotët për të atin. Ajo shprehet se kemi shpresë që ngjarja të zbardhet dhe për këtë përmend SPAK-un.
Por ndryshe nga Ana, në Gjirokastër, xhaxhai i saj nuk ka më besim të drejtësia.
Vetëm 2 vjet pas protestës së 21 janarit, Edi Rama u bë kryeministër me votat e LSI-së, ndërsa Ilir Meta Kryetar Kuvendi. Servet Pëllumbi nuk do ta komentojë këtë kapërcim politik.
Disa prej familjarëve të viktimave kanë marrë dëmshpërblim nga shteti pas betejës ligjore brenda dhe jashtë vendit. /abcnews.al