20-vjeçarja humb kontrollin e makinës në aksin Shkodër-Lezhë, vdes e moshuara, plagosen 3 pasagjerët

schedule20:26 - 22 Maj, 2022

schedule 20:26 - 22 Maj, 2022

Një grua e moshuar humbi tragjikisht jetën si pasojë e një aksidenti në aksin rrugor Shkodër -Lezhë, në vendin e quajtur “Dajç”. Nga ky aksident të plagosur mbetën shoferja 20-vjeçare si dhe 3 pasagjerë të tjerë.

Ngjarja e rëndë ndodhi rreth orës 20:00.  Një 20-vjçare ishte në timonin e makinës, që përfundoi jashtë rruge pasi e reja humbi kontrollin, në rrethana ende për t’u sqaruar.

Viktimë nga kjo ngjarje mbeti 73-vjeçarja Ikbale Kraja, pasagjer në mjet. Të plagosur mbetën edhe 3 pasagjerët e tjerë A.B. 53 vjeç, A.B. 43 vjeçe dhe O.B.19 vjeçe.

Ky është aksidenti i tretë që ndodh këtë të diel në rrugët e vendit tonë. Aksidenti i parë me pasoja fatale u regjistrua rreth orës 14:45, në autostradën Vlorë-Fier. 19-vjeçari Edvin Skëndaj, duke drejtuar automjetin tip “Nissan”,  aksidentoi këmbësori Besnik Brakaj, rreth 50-vjeç. Ky i fundit ndërroi jetë në vendin e ngjarjes.

Ndërkohë aksidenti tjetër ndodhi në aksin rrugor Ersekë-Leskovik, në afërsi të fshatit Taç, Kolonjë. 21-vjeçari Enrik Lamçe duke drejtuar mjetin tip “Benz”, humbi kontrollin e mjetit dhe doli nga rruga. Për pasojë mbetën të plagosur 4 pasagjerët e këtij mjeti, të cilët u transportuan për mjekim në Spitalin e Ersekës dhe të Korçës.

Enrik Lamçe, shoferi i automjetit, pas kryerjes së testit të alkoolit, rezultoi se drejtonte mjetin në gjendje të dehur dhe u shoqërua në Komisariat për veprime të mëtejshme procedurale. /abcnews.al