Policia në Shkodër ka vënë në pranga një 21-vjeçar i cili ishte shpallur në kërkim në kuadër të operacionit të koduar “Avalon”. Bëhet e ditur se në pranga është vënë J. M., 21 vjeç, banues në lagjen “Salo Halili”, Shkodër.
Për të riun, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Shkodër, me vendimin e datës 30.05.2022, ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Mashtrimi kompjuterik”, “Ushtrimi i aktivitetit tregtar të paregjistruar në organet tatimore” dhe “Vjedhja e energjisë elektrike”.
21-vjeçari ishte shpallur në kërkim pasi në datën 27.05.2022, gjatë operacionit policor të koduar “Avalon”, në një magazinë, në lagjen “Salo Halili”, janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale 16 pajisje elektronike, të cilat i posedonte i riu dhe dyshohet se shërbenin për gjenerimin në mënyrë të jashtëligjshme të kriptomonedhave virtuale
Gjatë këtij operacioni është arrestuar në flagrancë shtetasi edhe E. M., 43 vjeç, banues në Shkodër, pasi në bashkëpunim me 21-vjeçarin, kryenin veprimtarinë e kundërligjshme të prodhimit të kriptomonedhave virtuale.
Gjithashtu, në kuadër të këtij operacioni u procedua në gjendje të lirë F. B., 33 vjeç, banues në Shkodër, me detyrë lexues i aparatit matës, në OSHEE Shkodër, për veprën penale “Shperdorimi i detyrës”, pasi dyshohet se ka mundësuar furnizimin e pajisjeve që gjenerojnë kriptomonedha virtuale, me lidhje të paligjshme të energjisë elektrike. /abcnews.al/