143 kg kokainë në kontejner me imazhin e Escobar, burg për dy administratorët: Porositëm banane

schedule10:24 - 13 Prill, 2021

schedule 10:24 - 13 Prill, 2021

Dy administratorët e kompanisë ‘Masabi Fruits’ Klajdi Xibraku dhe Erion Peti janë lënë në burg nga Gjykata e Durrësit, pasi në kontejnerin me banane që vinte nga Ekuadori për llogari të tyre, u gjetën një sasi prej 143 kg kokainë e ndarë në 200 pako. Burime bëjnë me dije për ABC se Peti dhe Xibraku nuk e kanë pranuar akuzën.

Ata kanë thënë se nuk kanë asnjë lidhje me drogën dhe kanë porositur vetëm banane, pa pasur dijeni që në kontejner ka pasur lëndë narkotike. “Nuk kemi asnjë lidhje me drogën. Ne kemi porositur vetëm banane dhe nuk kemi pasur asnjë ide që brenda në kontejner ka pasur lëndë narkotike”, kanë deklaruar ata.

Paketimi me imazhin e Pablo Escobar

Droga ishte fshehur në tavanin e kontejnerit e ndarë në 200 pako të mbështjella me natriban dhe me mbishkrime përcaktuese si dhe fotografinë e trafikantit famëkeq Pablo Escobar. Në pakot e kokainës ishte shkruar  në spanjisht ‘El Mejor” (më e mira) dhe ‘Viejon’ (i moshuar).

Itinerari

40 ditë më parë  në fillim të muajit mars, ngarkesa është futur në kontejner dhe më pas është ngarkuar në anijen “MSC MIRRELLA” në portin Guayaquil në Ekuador. Nga Ekuadori ngarkesa ka përfunduar ne portin e Panamasë të quajtur Rodman, ku është ngarkuar në anijen e transportit “MSC NAOMI” dhe është nisur drejt Italisë për të kaluar tranzit në portin e “GIOIA TAURO” në Kalabri.

Në këtë port, konteineri bashkë me anijen kanë qëndruar pak më shumë se një javë. Më pas është nisur me anijen “Contiship” drejt portit të Pireut në Greqi dhe nga andej dje në mëngjes ka mbërritur në Shqipëri. Në Greqi është nisur drejt Shqipërisë me anijen “Dance”. Pasi ka lënë ngarkesën në Durrës anija ka pasur destinacion final portin e Tivarit në Malin e Zi.

/mv.abcnews.al