Aksioni për pastrimin e Shqipërisë, nismës i bashkohet Kosova

schedule16:30 - 24 Nëntor, 2017

schedule 16:30 - 24 Nëntor, 2017

Ka nisur sot aksioni për pastrimin e Shqipërisë nga mbeturinat. Kësaj nisme i është bashkuar edhe Kosova. Ministri i Turizmit dhe Mjedisit Blendi Klosi i ka kërkuar qytetarëve që të mos neglizhojnë ambientin jashtë shtëpisë dhe të denoncojnë në aplikacionin për hartën e mbeturinave.

Këta banorë të një prej lagjeve të kryeqytetit po shohin se si të tjerët po u pastrojnë ambientin jashtë shtëpisë.

Ka ardhur edhe vetë ministri i turizmit dhe mjedisit Blendi Klosi tu tregojë se nuk duhet të qëndrojnë prapa dritareve si spektatorë.

Është dita e parë e aksionit “Të pastrojmë Shqipërinë që duam”, i cili parashikohet të përfundojë pas 6 muajsh, në prag të sezonit veror.

“Për të pasur mundësi që të turizmi vitin tjetër, sezoni turistik 2018, të gjejë vendin tonë shkëlqyeshmërisht të pastër dhe po ashtu me shumë e shumë operacione, të cilat bëjnë të mundur që në Shqipëri të mos përsëriten të tilla ndotje”.

Dorezat i ka veshur edhe ministrja e Mjedisit së Kosovës, Albena Reshitaj dhe mesazhi që përcjell është për të gjithë shqiptarët.

“Besoj që kjo është iniciativa e parë e imja në një projekt të përbashkët Kosovë-Shqipëri dhe nga ky vend bëj mesazh për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës gjithashtu qytetarët e Republikës së Shqipërisë që të bashkohen dhe këta muaj së bashku, bashkarisht të punojmë, ta pastrojmë vendin tonë dhe të jemi dhe një shembull në iniciativë globale për pastrimin dhe për mirëmbajtjen e mjedisit”.

Më në fund një nismë e shoqërisë civile e nisur para 6 vitesh tashmë është shndrruar në një prioritet kombëtar. Ky ka qenë edhe qëllimi i Green line Albania. Përfaqësuesi i kësaj nisme, por edhe ai i organizatës “Të pastrojmë Kosovën”, thonë se thirrja për tu bërë pjesë e këtij aksioni është ende e vlefshme. Mjafton një palë doreza dhe qese për ta bërë Shqipërinë të pastër.

“Bashkohu në aksione, vetëm kështu ne mund të bëjmë diçka për këtë vend, mjafton edhe një thes të mblidhni. Imagjinoni, nga një thes secili, 160.000 vullnetarë janë 160.000 mijë thasë mbeturina të hequra nga rrugët e Shqipërisë. Vetëm kështu mund ta ndryshojmë këtë vend ta bëjmë Shqiperinë jeshile”.

“Është një fushatë shumë e madhe që ka filluar nga qeveria e Kosovës dhe Shqipërisë dhe organizatës së shoqërise civile, e cila nuk do të përfundojë deri sa të pastrojmë vendet tona”.

Aksioni ka filluar nga veriu në jug dhe do të zgjasë nga ora 9 deri në orën 15 çdo ditë. Por nuk mjafton vetëm një ditë apo 6 muaj, duhet që çdo ditë të kontribuohet për të mbajtur një Shqipëri të pastër dhe për këtë qytetarëve i kërkohet të denoncojnë mbeturinat e hedhura në aplikacionin që tregon hartën e mbeturinave.

“Vazhdoj të kërkoj me forcë, çdo qytetar të evidentojë çdo problematikë, nëpërmjet aplikacionit të cilin e kanë në celularin e tyre, ata mund të bëhen një kontribues i jashtëzakonshëm në pastërtinë e qytetit”.

Kjo është një lëvizje mbarë botërore ku bëjnë pjesë 116 shtete të botës. Shqipëria e Kosova janë bërë bashkë për të pastruar të gjitha territoret e dy shteteve shqiptare, Shembulli i parë është kjo lagje që nga një pellg mbeturinash u shndrrua në një sipërfaqje të pastër.

https://youtu.be/02Bma-Y9rcY