1 vit pa Maks Velon, Artan Shkreli: Emergjent inventarizimi i veprave te tij, po shiten në treg

schedule15:55 - 7 Maj, 2021

schedule 15:55 - 7 Maj, 2021

Nga Leontine Nika

Kujtimin për mikun e tij artistin Maks Velo një vit pas ndarjes së tij nga jeta, Artan Shkreli e nis me një shqetësim. Ai kërkon inventarizimin emergjent të veprave të tij, si vlerë kombëtare, pasi sipas tij pikturat e  Maks Velos fatkeqësisht po qarkullojnë në tregun e nëndheshëm të koleksionistëve.

“Për fat të keq disa gjëra të veprës së Maksit kanë filluar të qarkullojnë në tregun e nëndheshëm. Që do të thotë që është vënë dorë në atë koleksion. Më dhemb zemra kur e mendoj këtë gjë, sepse asnjëherë nuk do të dihet nëse disa gjëra janë apo jo të Maksit.”

Në këtë ditë simbolike Akademia e Shkencave botoi albumin “Arkitekturë Art Popullor”. Nënkryetari i këtij institucioni, Vaso Tole pranon mungesën e energjisë se Maksit në këto mjedise por statueta e çmimeve, e bën atë të pranishëm mes tyre.

“Maksin e kemi me vete, e kemi dhe më ketë botim. Statueta e famshme e ideuar nga ai enkas për këtë çmim, është mundimi i njeriut primitiv për të bërë diçka.”

Shkreli  na shpjegon rëndësinë e kulturës popullore të Velos edhe në kushte të jashtëzakonshme, në burgun e Spaçit.

“Kishte në burg njerëz që zotëronin aktin e gdhëndjes dhe prej tyre ai nxori thelbin e kulturës popullore, atë primitivitetin që është larguar nga teknologjia zyrtare e kohës.”

Kryetari i shoqatës se Arkitektëve Armando Vokshi pasi rrëfen mungesën e ekos së tij, thotë se po punojnë  për botimin e veprës mbi arkitekturën e tij. Maks Velo është një nga pionerët e artit modern me dimension të gjerë, në arkitekturë, pikturë, skulpturë e letërsi. /abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!