Bisedimet e fshehta për negociata mes PS dhe PD i mohon edhe nënkryetari i PD, Emond Spaho. Në një intervistë për “ABC News”, Spaho tha se PD është e gatshme të ulet në dialog, por sipas tij, Edi Rama refuzon të pranojë se ka krizë, duke refuzuar edhe ndërmjetësimin e ndërkombëtarëve.
Partia Demokratike është e gatshme të ulet në dialog për zgjidhjen e krizës politike nëse maxhoranca dhe vetë kryeministri Rama nuk do të refuzojë zhvillimin e negociatave. Nënkryetari i Partisë Demokratike, Edmond Spaho në një intervistë për ABC News tregon tentativat e vazhdueshme të ndërkombëtarëve për zgjidhjen e krizës të refuzuara nga Edi Rama.
Spaho mohon të ketë negociata të fshehura me maxhorancën, duke bërë të qartë se zgjedhjet e parakohshme janë e vetmja ofertë që opozita ka për kryeministrin Rama.
Platforma për zgjidhjen e krizës do të jetë edhe oferta e demokratëve për Partinë Socialiste për zgjidhjen e krizës. Në këtë platformë do të pasqyrohen qëndrimet e opozitës për reformën zgjedhore dhe çështje të tjera që do të kërkojnë dialog me shumicën.
Partia Demokratike përjashton në mënyrë kategorike një koalicion bashkëqeverisës me Partinë Socialiste. Për demokratët do të ishte vrastare për opozitën, pjesëmarrja në një tjetër proces zgjedhor të drejtuar nga Edi Rama kryeministër. /ABC News Albania 24/7