Sejko: BSH do blejë valutë për të frenuar rënien e euros

schedule19:20 - 6 Qershor, 2018

schedule 19:20 - 6 Qershor, 2018

Banka e Shqipërisë do të ndërhyjë në treg duke blerë valutë për të frenuar rënien e euros. Vendimi Keshillit Mbikqyrës të BSH u bë me dije gjatë një deklaratë për mediat të guvernatorit Gent Seiko. Njëkohësisht Banka e Shqipërisë uli më 0.25 % normën bazë të interesit.

Rënia e euros në tregun e këmbimit valutor në Shqipëri ka vënë në lëvizje Bankën e Shqipërisë. Guvernatorit i saj, Gent Sejko, lajmëroi të mërkurën vendimin e Këshillit Mbikqyrës për një ndërhyrje direkte në tregun valutor.

Gent Sejko: “Duke u nisur nga nevoja për ndërtimin e kushteve të duhura monetare për ruajtjen e stabilitetit të çmimeve dhe duke reflektuar mbi reduktimin e hapësirës së përdorimit të instrumentit tranacional të monedhës monetare, normës bazë të interesit, këshilli mbikëqyrës vendosi ndërmarrjen e operacioneve të blerjes së valutës në tregun e brendshëm valutor”.

Guvernatori shpjegoi edhe qëllimin e kësaj manovre.

Gent Sejko: “Kjo është një ndërhyrje për blerje të tepricës së valutës në tregun valutor në mënyrë që të frenohet përshpejtimi i mëtejshëm i mbikursit të mbiçmimit, i cili është konstatuar që ka pasur ritme të shpejta gjatë muajit Maj, në një mbiçmim që ka dalë përtej parametrave dhe kritereve që ne kemi si Bankë Shqipërie”.

Sejko theksoi se leku po forcohet nga oferta për valutë dhe nga konvertimi i kapitalit të disa bankave. Një tjetër vendim i Bankës së Shqipërisë ishte ulja e normës bazë të interesit.

Gent Sejko: “Të ulë më 0.25 pikë përqindje normën bazë të interesit duke e zbritur atë në nivelin e 1%. Të ulë me 0.15% normën e interesit të depozitës një-ditore”.

Guvernatori tha se rritja e stimulit monetar pritet të shoqërohet me reduktim të normave të interesit të kredisë dhe rritje të qarkullimit të lekut.

Gent Sejko: “Trendi i zhvillimit pritet të jetë pozitiv i karakterizuar nga rritja e mëtejshme ekonomike, nga lëvizja graduale e ekonomisë drejt ekuilibrit”.

Referuar kursit zytar të Bankës së Shqipërisë, të mërkurën një euro u këmbye me 124.42 lekë, me një rritje prej 0.25 lekësh në krahasim me ditën e mëparshme./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!