“Rama dashuron trëndafilat por nuk duron gjembat, ish-zv/ministrja Beqiraj: Kryeministri tashmë një lider letargjik

schedule21:21 - 5 Mars, 2020

schedule 21:21 - 5 Mars, 2020

Në studion e ABC News përballë gazetares Mirela Milori ishte e ftuar ish-zv Ministrja e Financave Irena Beqiraj. Mes të tjerash ajo foli për letrën e dërguar nga një grup anëtarësh të PS në Kongres për riformatim të PS.

Beqiraj u shpreh kritike ndaj lidershipit të PS, kryesisht të kryeministrit Rama, për të cilin theksoi se tashmë ai nuk ka çfarë ti japë më Partisë Socialiste.

Ish zv – ministrja tha se Rama tashmë është një politikan letargjik dhe se duhet ta lërë demagogjinë dhe të mos i përgjigjet çështjeve vetëm kur i vjen halli.

Për deklaratat e Spiropalit në studion e ABC News se Beqiraj nuk i përkiste forumeve socialiste, Beqiraj tha se “për ti folur një votiuesi apo një anëtari tjetër të PS nuk më duhet asnjë forum i partisë, aq më tepër kur janë kthyer në pasticeri fjalimesh të sheqerosura, që thurin lavde për drejtuesit dhe shpërndahen tituj kalorsiak”.

Pjesë nga biseda në studio: 

Irena Beqiraj: I jam bashkuar Partisë Socialiste me vullnetin tim të lirë ndërsa në qeveri, e kam thënë edhe herë të tjera, si Shef marrdhëniet e mia me Ramën kanë qenë tërësisht korrekte  ndërsa për mënyrën se si i ka ndërmarrë disa nga reformat dhe i ka zbatuar ato , kam patur rezervat e mia.

Mirela Milori: Ja keni thënë këtë gjë?

Irena Beqiraj: Kur më është dhënë rasti, ja kam thënë dhe ja kam shkruar.

Mirela Milori: Cila ka qenë përgjigja e tij?

Irena Beqiraj: Unë mendoj se lexon gjithcka por përgjigjet shumë rrallë..

Mirela Milori: Zonja Spiropali në këtë studio, në lidhje me letrën e Arta Dades, tha që e kuptoj Daden por Irena Beqiraj nuk është pjesë e forumeve të Partisë Socialiste.

Irena Beqiraj: Unë jam anëtare e partisë socialiste, për ti folur një votiuesi apo një anëtari tjetër të PS nuk më duhet asnjë forum i partisë, aq më tepër kur janë kthyer në pasticeri fjalimesh të sheqerosura, që thurin lavde për drejtuesit dhe shpërndahen tituj kalorsiak. Jo pa qëllim nuk jam arriviiste për të qenë se sbën në një pozicion drejtues. Politika nuk mund të jetë një vokacion, të gjithë ata që e kanë patur vokacion politikën duhet ta lënë njëherë e mirë. Politika ka nevojë për njerëz të cilët janë të formuar personalisht dhe profesionalisht dhe futen në politikë për të dhënë jo për të marrë. Edhe pse nuk jam anëtare e forumeve të PS mund të flas për PS për sa kohë jam anëtare dhe votuese e saj. Më vjen keq që PS është kthyer në republikë tifozësh dhe duhet te shikojmë si besnikëri çdo kritikë dhe çdo qasje për vetkorigjim. Ai  mocion ishte një qasje dhe një platformë për vetkorigjim, kjo është besnikëria karshi një force politike. Nuk është të dalim e të shpërndajmë tituj dhe të tundim flamujt e kongreseve, sepse e bëmë 50 vite.

Mirela Milori: Megjithatë Kongresi nuk e mori parasysh letrën tuaj…

Irena Beqiraj: Ishte një gjë që pritej por mendoj se bëmë shumë mirë që e bëmë, nuk është e kollajtë të zhbësh një mentalitet. Ajo që është e rëndësishme është që njerëzit ta lexojnë sepse kemi ardhur në kohën që duhet ti demokratizojmë këto nukla. Ne do ta vazhdojmë përpjekjen tonë, jam e bindur që në PS ka shumë të tjerë që ndajnë “de facto” mendimet që ndajmë ne.

Ne duam të ndikojmë te çdo anëtar i PS. Partia Socialiste nuk mund të jetë më ashensori i pushtetit të askujt. Zoti Rama ka qenë shumë i sinqertë në Kongres. Më shumë karizëm tha; “e dua një mandat të tretë me 800 mijë vota“, pra PS është ajo që duhet ta ngjisë në një kat tjetër me 800 mijë vota. Ajo që pritej në një kongres dhe në një forum është që ky ishte projekti që ne kemi për mandatin e tretë. PS duhet të jetë një nukël debati dhe idesh. Në këtë gjendje që është sot forumet dhe Partia Socialiste nuk ka çfarë të bëj me fitoren, edhe sikur të fitojë. Mandati i dytë e ka treguar qartë, që edhe pse i kishin të gjithë mundësitë për të ndërmarrë reforma, për të qenë më të përulur, më të duruar me opozitarët, dhe me të gjithë ata që na kritikonin, ne arritëm të tregonim që edhe pse fituam nuk kishim çfarë të bënim me fitoren. Po të shihni, që prej shkurtit të vitit të kaluar, ka humbur gjithë kjo energji, duke bërë debate politike, por ekonomia flet vetë. Shqiptarët kanë nevojë për dritë shprese, shqiptarët po lënë vendin.

Mirela Milori: Çfarë prisni të bëj Rama?

Irena Beqiraj: Unë pres që të forcojë bazën e PS sepse nuk e ka me vete. Ka shembull Shkodrën dhe Vlorën. E vetmja ide ekonomike që u shpall në Kongres ishte amnistia. Amnistia na ka munguar për ta zhvilluar Shqipërinë? JO, Rama sot duhet ta hapë atë parti, dhe të futen aty gjithë intelektualët që nuk janë mësuar ti çajnë qiejt me katapultim, por me shpatullat e tyre.

Mirela Milori: Këto probleme që ju keni, a i ka edhe baza socialiste?

Irena Beqiraj: Kam përshtypjen që baza socialiste i ka të gjitha këto probleme, sepse e ndjen më shumë se sa kurrë, që aty mundohet të kontribuojë por jo në mënyrë cilësore. Ja i fituam zgjedhjet, kush është programi që do të implementojmë? Ku do ta çojmë Shqipërinë?

Unë nuk ju jap dot përgjigje për këtë. E lexoj Kryministrin në një mandat të tretë, vetëm nëse ai do të dojë të ndryshojë, gjë që më duket e pamundur. Ai duhet të heqë dorë nga demagogjia, dhe të merret pak më shumë me punë. Unë mendoj që Rama është tashmë një lider letargjik. Nuk bën më politika aktive, i përgjigjet çështjeve që i vijnë në tavolinë kur i vjen halli.

Mirela Milori: Nëse akuzoheni se po bëni atë që po bën opozita me Ramën në kohën kur keni qenë zv/ministre e financave dhe jeni anëtare e PS, si do përgjigjeshit?

Irena Beqiraj: Unë nuk hedh baltë as mbi zotin Rama dhe as mbi asnjë anëtar të PS, ajo që them është se kemi nevojë për një qasje të qartë, programatike me elementë të performancës me kyçe të matshme. Vetëm kështu kemi mundësi të masim njëri tjetrin, zoti Rama mendoj se nuk ka më mundësi ta bëj këtë gjë. Ajo që kam vënë re te zoti Rama është se i dashuron trëndafilat por nuk duron dot gjëmbat, dhe si përfundim mbeten me lule dele në dorë, që në fund mbeten një tufë barishtesh./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!