Manja për nismën e PD: Venecia, tabani i demokracisë, reagon Bylykbashi

15:52 | 03/10/2018

Pas nismës së Partisë Demokratike për vettingun në politikë, është mbledhur përsëri Këshilli i Legjislacionit. Përfaqësuesi i vetëm i opozitës ishte Oerd Bylykbashi i cili kërkoi t’i vihej në dispozicion materiali i përgatitur për Komisionin e Venecias. Në emër të opozitës deputeti demokrat deklaroi se në këtë vend nuk do të ketë as zgjedhje, as demokraci, as parlament, pa ndarë politikën nga krimi.

Ndryshe nga mbledhja e fundit e këshillit të legjislacionit, qetësisht dhe i vetëm përballë anëtarëve të mazhorancës,  deputeti i Partisë Demokratike Oerd Bylykbashi  deklaroi se “lidhja krim-politikë, interesa kriminale-interesa politike, janë rreziku kryesor për demokracinë dhe stabilitetin e Shqipërisë.

“Një pjesë e madhe e kësaj mbështetje zhvillohet në kufijtë e ligjit: politikanët janë bërë të zgjuar dhe dinë si të japin mbështetje pa shkelur ligjin dhe pa lënë gjurmë. Ky është qëllimi kryesor i vetingut në politikë: të krijojë një filtër shtesë për pengimin e depërtimit të ndikimit dhe interesave kriminale në politikë”.

Deputeti demokrat, sqaroi edhe njëherë se “Vetingu është një proces krejtësisht i shkëputur dhe i pavarur nga vetingu në drejtësi. Ai nuk ka asnjë lidhje dhe apo ndikim negativ apo pengesë për vetingun në drejtësi.

“Vetingu i politikanëve nuk përjashton dhe nuk ka ansjë ndikim për hetimet penale të politikanëve dhe njerëzve të lidhur me ta, nga çdo lloj institucioni hetimi qoftë nga prokuroritë e rretheve qoftë nga prokuroria e sotme e krimeve të rënda apo SPAK dhe BKH kur ato të krijohen. Përkundrazi, ky proces u jep burime dhe raste hetimi këtyre institucioneve”.

Në emër të opozitës Oerd Bylykbashi deklaroi se nuk do të tolerojnë asnjë vonesë në miratimin e vettingut të politikanëve.

“Ne jemi të vendosur dhe do të bëjmë gjithçka për ta zbatuar. Në këtë vend nuk do të ketë as zgjedhje, as demokraci, as parlament, as drejtësi, as ekonomi, pa ndarë politikën nga krimi.

Në emër të mazhorancës deputeti Ulsi Manja u shpreh se janë pro mbështetjes së cdo lloj vetting të politikës.

“Bëhet fjalë për të ndërhyrë në Kushtetutë, e kemi marrë në konsideratë nismën e opozitës por kërkuam një diskutim të gjerë nga ekspertë të fushës, por pse jo edhe marrja e opinionin nga Komisioni i Venecias. “Venecia” është tabani i demokracisë. Jemi dakord me pyetjet që të depozitohen me shkrim ekspertëve”.

Pas kërkesës së Partisë Demokratike Këshilli i Legjislacionit do i drejtohet ekspertëve lidhur me vettingun në politikë, duke përfshirë këtu edhe qëndrimin e Komisioni të Venecias.Draftin e të cilës deputeti Bylykbashi kërkoi që t’ia vinin në dispozicion.

“Duke nisur dhe nga eksperiencat e mëhershme ku komisioni i Venecias është kedrejtuar qëllimshëm nëpërmjet materialeve të përkthyera gabim apo pyetje të cilat mund të mos i përgjigjen fare çështjes. Kërkoj të na vihet në dispozicion materiali i nisur Komisionit të Venecias. Vetingu i politikanë duhet bërë shpejt çdo lloj kalendari vonues është i papranueshëm. Përpiquni që me procedurë mos vrisni interesin e publikut për të pastruar politikën”.

Garancinë ia dha kryetari i Kuvendit Gramoz Ruçi.

“Të merren masat për çështjen dhe të nisë puna, paralelisht i është nisur edhe komisionit të Venecias, që kur të vijë dita për t’u diskutuar në parim dhe nen për nen të kemi edhe mendimin e konstitucionalistëve edhe të komisionit të Venecias. Nuk do ketë zvarritje ky proces. Të merren masa për dëgjimin e ekspertëve. Konsitucionalistët në momentin që janë gati do të na njoftojnë”. /abcnews.al



Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F




Kontakt

Telefono