Cakaj në Helsinki: Shqipëria ka përmbushur kushtet teknike për çeljen e negociatave me BE-në

11:21 | 31/08/201911:210

Gjatë qëndrimit në Helsinki, për takimin joformal të Ministrave të Jashtëm të Bashkimit Evropian dhe Ballkanit Perëndimor, formati Gymnich, Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj, zhvilloi takime me homologët e tij, Ministrat e Jashtëm të Danimarkës, Rumanisë, Kroacisë, Çekisë, Sllovenisë dhe me Sekretaren e Shtetit për Çështjet Evropiane të Portugalisë.

Fokusi i diskutimit në këto takime ishte perspektiva e zgjerimit të BE-së në Ballkanin Perëndimor, si dhe ambicia e Shqipërisë për marrjen e një përgjigje pozitive për çeljen e negociatave me BE në tetor.

Ministri Cakaj rikonfirmoi gjatë këtyre takimeve se Shqipëria ka përmbushur të gjitha kushtet teknike për fillimin e negociatave, çka mbështetet plotësisht edhe nga progres raporti i Komisionit Evropian, dhe vijon thellimin e reformave, duke shprehur bindjen se çelja e negociatave me BE-në është më se e merituar.

Ministri slloven Miroslav Cerar vlerësoi kriteret e plotësuara nga Shqipëria, për të merituar çeljen e negociatave me BE. Ministri Cerar siguroi Ministrin Cakaj për mbështetjen e Sllovenisë për të mundësuar një vendim pozitiv në mbledhjen e ardhshme të Këshillit në tetor.

Gjatë takimit me Ministrin e ri kroat Gordan Grlic-Radman, ky i fundit rikonfirmoi mbështetjen e fuqishme dhe aktive të Kroacisë për çeljen e negociatave të Shqipërisë me BE-në, duke ritheksuar qëndrimin e palëkundur për integrimin e plotë të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian si një nga prioritetet e pritshme kryesore të presidencës së ardhshme kroate të BE-së.

Ministri danez Jeppe Kofod vlerësoi progresin e bërë deri tani në drejtim të plotësimit të prioriteteve kyçe, si dhe inkurajoi Ministrin Cakaj për vazhdimin e reformave në vend. Ai siguroi për një vlerësim të drejtë mbi bazën e arritjeve për çeljen e negociatave për anëtarësim.

Ministrja rumune Ramona Manescu siguroi për vijimin e mbështetjes së Rumanisë, të shprehur edhe gjatë presidencës së tyre për avancimin e vendit tonë në procesin e integrimit evropian nëpërmjet hapjes sa më parë të bisedimeve të anëtarësimit.

Ministri çek Tomáš Petříček konfirmoi se vendi i tij do të vijojë të jetë i zëshëm dhe aktiv në mbështetje të perspektivës evropiane të Ballkanit Perëndimor dhe do të mbrojë bindshëm objektivin e Shqipërisë për hapjen e bisedimeve të anëtarësimit në tetor.

Shqipëria ka bërë progresin e nevojshëm për plotësimin e kritereve për këtë faze të procesit dhe tashmë i takon Bashkimit Evropian të mbajë premtimin e tij.

Sekretarja e shtetit për Çështjet Evropiane të Portugalisë, Ana Paula Zacarias, u interesua për zhvillimet më të fundit në vendin tonë, veçanërisht për ecurinë e reformës në drejtësi. Ajo vlerësoi rezultatet konkrete të arritura që do të shërbejnë si një bazë e qëndrueshme për diskutimet dhe vendimmarrjen në Këshillin e tetorit ku vendi i saj do të kontribuojë në mënyrë konstruktive.

Ministri Cakaj mori mbështetje edhe nga përfaqësues të vendeve të tjera të Bashkimit Evropian gjatë bisedave me ta në margjinat e takimit të Gymnich.

Kryefjala e këtyre bisedave ishte se i takon Bashkimit Evropian tashmë t’i përgjigjet pozitivisht Shqipërisë për reformat e ndërmarra, duke i kurorëzuar këto përpjekje të vendit tonë me një vendim të merituar dhe pozitiv nga Këshilli në tetor./abcnews.al

Lini koment

E-maili nuk do te publikohet. Duhen plotesuar *


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono