Stafi në uzinën e Zaporizhzhia është torturuar nga rusët për t’i detyruar ata të mbajnë në punë objektin, ka thënë kreu i industrisë së energjisë bërthamore të Ukrainës për Sky News.
Petro Kotin tha se shpreson se inspektorët e pavarur ndërkombëtarë do të jenë në gjendje të vizitojnë termocentralin në 10 ditët e ardhshme.
“Ka negociata me IAEA (Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike), me Kombet e Bashkuara për mbështetjen e tyre për këtë mision dhe unë mendoj se brenda 10 ditëve ato do të jenë në terren”, parashikoi Kotin.
“Situata (në uzinë) është shumë e keqe tani dhe po përkeqësohet gjatë gjithë kohës. Gjatë tre javëve të fundit, ka pasur një rritje të bombardimeve në vend.Veprimet nga Rusia rrisin rrezikun për sigurinë bërthamore dhe rrezatuese. Gjithashtu, kushtet e stafit tonë atje janë vërtet në rënie”, tha ai.
Kotin, i cili dikur ishte kreu i vetë uzinës në Zaporizhzhia, pretendoi se stafi i tij është torturuar nga forcat ruse për t’i detyruar ata të qëndrojnë dhe të operojnë fabrikën.
“Ata kapën rreth 1,100 personel nga vendi dhe i mbajtën në objektet e tyre, objektet e kapura dhe objektet e policisë në qytetin afër të Enerhodar. Një person ka mbetur i vrarë, një tjetër është plagosur rëndë. Ata po përpiqen t’i detyrojnë ata të pranojnë botën ruse. Të gjitha llojet e shtytjeve psikologjike ndaj tyre”, tregoi Kotin.