Zyrtari i NATO-s: KFOR i gatshëm të ndërhyjë nëse rrezikohet stabiliteti

schedule10:55 - 6 Nëntor, 2022

schedule 10:55 - 6 Nëntor, 2022

Zëvendëssekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mircea Geoana, ka thënë të shtunën se misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, mbetet vigjilent dhe i gatshëm për të intervenuar në rast se rrezikohet stabiliteti.

Përmes një postimi në Twitter, ai ka thënë se ka biseduar me të dërguarin special të Bashkimit Evropian për Ballkanin Perëndimor, Miroslav Lajçak lidhur me situatën, siç ka thënë ai, të tensionuar në veri të Kosovës.

“Beogradi dhe Prishtina duhet të tregojnë përmbajtje dhe të parandalojnë përshkallëzimin”, ka thënë ai.

Ndërkohë, Lajçak ka thënë se pajtohet plotësisht me qëndrimet e zyrtarit të NATO-s dhe është mirënjohës për bashkëpunimin e BE-së me aleancën veri-atlantike dhe KFOR-in.

Deklaratat e tyre vijnë në ditën kur Lista Serbe – partia më e madhe e serbëve të Kosovës – ka vendosur të largohet nga të gjitha institucionet shtetërore.

Kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq, ka thënë se dorëheqjet përfshijnë pozitat në Qeverinë dhe Kuvendin e Kosovës, dhe ato të gjyqësorit e Policisë së Kosovës në veri.

Katër komunat me shumicë serbe në veri janë: Mitrovica e Veriut, Zveçani, Leposaviqi dhe Zubin Potoku.

Lista Serbe ka nisur paralajmërimet për largime të tilla, pas vendimit të autoriteteve të Kosovës për suspendimin e drejtorit të Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Nenad Gjuriq, i cili ka refuzuar që të zbatojë vendimin e Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e makinave që kanë targa të lëshuara nga Serbia në RKS – Republika e Kosovës.

KFOR-i ka thënë se është në kontakt të ngushtë me liderët në Prishtinë dhe Beograd, si dhe partnerët ndërkombëtarë për të garantuar sigurinë.

“Ne i bëjmë thirrje secilit të adresojë dhe të diskutojë dallimet përmes dialogut konstruktiv. Arrini përparim. Shprehni mendimet në mënyrë paqësore dhe arrini kompromis”, është thënë mes tjerash në deklaratën e KFOR-it.

Zhvillimet e 5 nëntorit në veri

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, i ka konsideruar dorëheqjet si veprime të Serbisë me qëllim të destabilizimit të veriut të Kosovës.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti u ka bërë thirrje serbëve që të mos braktisin institucionet e Kosovës dhe që të mos jenë pre “e manipulimeve politike dhe lojërave gjeopolitike”.

Partitë opozitare në Kosovë janë shprehur të shqetësuara për situatën në veri dhe i kanë bërë thirrje Qeverisë për reflektim. Kryeministrja serbe, Ana Bërnabiq, në anën tjetër, e ka mbrojtur vendimin e serbëve në Kosovë për dorëheqje.

“Në luftën e tyre për paqe, stabilitet, sundim të ligjit dhe respektim të të gjitha marrëveshjeve të nënshkruara, ata do ta kenë gjithmonë mbështetjen e plotë të Qeverisë së Serbisë”, ka thënë ajo përmes një deklarate.

Edhe drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, e ka mbështetur vendimin.

Plani për targat

Prej 1 nëntorit, Qeveria e Kosovës ka nisur të zbatojë planin e saj – në tri faza – për riregjistrimin e makinave me targa të lëshuara nga Serbia.

Faza e parë përfshin qortimin e shoferëve, e dyta parasheh gjobë deri në 150 euro për ata shoferë, dhe e treta targa provuese.

Zbatimi i këtij plani pritet të përfundojë më 21 prill dhe, nga ajo datë, në qarkullim do të lejohen vetëm makina me targa RKS.

Besohet se në Kosovë janë rreth 10.000 makina me targa serbe.

Çështja e targave ilegale ka shkaktuar tensione në veri të Kosovës verën e kaluar, kur disa serbë lokalë kanë ngritur barrikada në shenjë pakënaqësie me procesin e riregjistrimit.

Për të ulur tensionet, dhe me sugjerimin e komunitetit ndërkombëtar, Qeveria e Kosovës e ka shtyrë zbatimin e vendimit deri më 1 shtator.

Afati për riregjistrim fillimisht ishte planifikuar të skadonte më 31 tetor, mirëpo më pas Qeveria e Kosovës e ka prezantuar planin me tri faza.

Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kanë shprehur zhgënjim pse Qeveria e Kosovës nuk ka vepruar në përputhje me kërkesën e tyre për shtyrje 12-mujore të vendimit për targat.

Kosova dhe Serbia kanë nisur negociatat për normalizimin e marrëdhënieve më 2011, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.

Procesi i negociatave pritet të përfundojë me marrëveshje ligjërisht të detyrueshme.

Ndonëse Kosova deklaron se kjo marrëveshje duhet të përfshijë njohjen e ndërsjellë, Serbia nuk pranon, duke insistuar në “zgjidhje kompromisi”./REL/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!