Një zyrtar i lartë kinez, që u largua për në Shtetet e Bashkuara shkurtin e kaluar bashkë me vajzën e tij i ka treguar administratës Biden informacione rreth “rrjedhjes” së koronavirusit nga një laborator i Wuhan-it.
Teoria që koronavirusi ka rrjedhur nga Instituti i Virologjisë në Wuhan apo nga ndonjë laborator tjetër shkencor në Kinë është përshkruar si konspirative nga shumë, edhe pse dihet që në laboratorët e Wuhan-it shkencëtarët kanë qenë duke studiuar koronaviruset që vijnë nga lakuriqët e natës, sipas raportimeve.
Zyrtari në fjalë është 57-vjeçari Dong Jingwei, një zëvendës ministër në Ministrinë e Sigurisë Kombëtare të Kinës, e cila është praktikisht Shërbimet Sekrete të vendit. Jingëei-t i kishin caktuar shumë raste që nga prilli 2018, shkruan abcnews.al
Lajmi që zyrtari i lartë kinez është dorëzuar në Shtetet e Bashkuara ka dalë në dritë ditët e fundit, pas “thashethemeve” që po qarkullojnë në mediat sociale kineze. Gjithçka filloi me një tweet nga Han Lianchao, një ish-zyrtar i Ministrisë së Jashtme kineze, i cili u dorëzua në Shtetet e Bashkuara pas protestave të përgjakshme në Sheshin Tiananmen në 1989.
Në një postim që ai bëri më 16 qershor, ish-zyrtari kinez deklaron se Jingwei u dorëzua në Shtetet e Bashkuara. Ai pretendon se dorëzimi i Jingwei u diskutua në një takim të zyrtarëve kinezë dhe amerikanë në Alaskë në mars, por Shtetet e Bashkuara refuzuan ta dorëzonin spiunin kinez.
Marsin e kaluar, Sekretari i Shtetit i SHBA Anthony Blinken dhe Këshilltari i Sigurisë Kombëtare të SHBA Jake Sullivan u takuan me zyrtarë të lartë kinezë në një takim të parë katër-ditor për të diskutuar çështje me shqetësim të ndërsjellë, të tilla si tregtia dhe të drejtat e njeriut në Tibet.
Megjithatë, nga pala kineze lajmi nuk është konfirmuar. s.b/abcnews.al/