Dy zyrtarë të lartë gjermanë janë takuar me të gjithë përfaqësuesit e institucioneve dhe forcave politike. Pas takimeve ata kanë dalë në përfundimin se partitë duhet të shkojnë në zgjedhjet e 30 qershorit. Akuzat e opozitës për shitblerje të votave të verifikohet nga drejtësia dhe parlamenti është kërkesa e përfaqësuesve të Ministrisë së Jashtme të Gjermanisë.
Kriza politike ka angazhuar Ministrinë Federale të Punëve të Jashtme të Gjermanisë për të njohur nga afër situatën në vend. Dy zyrtarë të lartë të kësaj ministrie kanë zhvilluar biseda me Presidentin e Republikës, Kryeministrin, Ministrin e Brendshëm, Ministrin në detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme Cakaj si dhe me kryetarin e Partisë Demokratike Basha dhe përfaqësues të shoqërisë civile.
Në fund, Christian Hellbach dhe Thomas Ossoëski kërkojnë nga të gjitha palët që të tregojnë përgjegjësi përkundrejt zgjedhësve të tyre dhe të marrin pjesë në zgjedhjet vendore të datës 30 Qershor.
“Rekomandimet e OSBE-ODIHR-it,, të cilat u drejtohen si pushtetit ekzekutiv ashtu edhe atij legjislativ, kanë bërë të qartë, se në cilët sektorë duhet të përmirësohet ende sistemi zgjedhor shqiptar”, nënvizojnë zyrtarët gjermanë.
“Shqipëria duhet të zhvillojë instrumente efektivë për të parandaluar mashtrimet në zgjedhje dhe blerjen e votave si dhe për të ndjekur në mënyrë të vendosur çdo moment dyshimi. Duhet të garantohet besimi i pakufizuar i qytetarëve në forcën e votës së tyre”!
Por kjo arrihet vetëm me një parlament funksional është këshilla e Ministrisë së Jashtme të Gjermanisë e cila u bën thirrje të gjitha partive, të punojnë në mënyrë konstruktive për reformën zgjedhore. Ata kërkojnë që akuzat, të cilat kanë të bëjnë me mbarëvajtjen e zgjedhjeve të kaluara, duhet të verifikohen dhe përpunohen nga drejtësia dhe parlamenti në përputhje me procedurën e parashikuar për këtë./abcnews.al