Zyrtare / Yuri Kim ambasadore e SHBA në Shqipëri

schedule14:40 - 20 Dhjetor, 2019

schedule 14:40 - 20 Dhjetor, 2019

Senati amerikan ka konfirmuar Yuri Kim për ambasadore të SHBA në Shqipëri. Lajmi behet i ditur ne faqen zyrtare te Kongresit te SHBA.

Komisioni i Senatit për Marrëdhënie me Jashtë miratoi në nëntor emërimin e diplomates Yuri Kim për postin e ambasadores së Shteteve të Bashkuara në Shqipëri.

Për t’u bërë zyrtar, emërimi i saj duhej të miratohej nga Senati. Ndërkohë në faqen zyrtare të Kongresit Amerikan është njoftuar se senati ka konfirmuar Yuri Kim si ambasadore e SHBA në Shqipëri. Njoftimi  nga Kongresi Amerikan është publikuar ditën e djeshme.

Yuri Kim është gruaja e parë koreano-amerikane që përfaqëson SHBA në postin e një ambasadori, gjithashtu personi i parë nga territori amerikan i Guamit që shërben në një post të tillë.

Yuri Kim, ishte emëruar nga Presidenti Donald Trump në qershor të këtij viti.

Në një seancë para Komisionit të Jashtëm të Senatit për konfirmimin e saj në fund të tetorit, ajo tha se do të nxiste udhëheqësit e vendit për të zgjidhur ngërçin aktual politik në mënyrë që të forcohet perspektiva e hapjes së negociatave të anëtarësimit në BE.

Kim shtoi se do të inkurajonte gjithashtu Shqipërinë të zbatonte plotësisht reformat në drejtësi, përfshirë kontrollin e figurës së gjyqtarëve dhe prokurorëve dhe krijimin e strukturave të posaçme për luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

KARRIERA DIPLOMATIKE

Yuri Kim është anëtare në stafin e lartë të Shërbimit të Huaj dhe ka shërbyer në Departamentin e Shtetit si Drejtore e Zyrës së Çështjeve të Evropës Jugore.

Më herët, ajo ka qenë drejtoreshë e Qendrës së Departamentit të Shtetit për Studimin e Diplomacisë, Shefe e Stafit për Zëvendëssekretarin e Shtetit dhe Drejtore e Zyrës për Sigurinë Evropiane dhe Çështjeve Politiko-Ushtarake.

Ajo ka qenë gjithashtu Asistente Speciale e Ndihmës Sekretarit të Shtetit për Çështjet e Azisë Lindore dhe Paqësorit dhe anëtare e delegacionit të Shteteve të Bashkuara në bisedimet gjashtëpalëshe për t’i dhënë fund programit bërthamor të Koresë së Veriut.

Zonja Kim ka shërbyer si Këshilltare Politike në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara në Bagdad dhe në Ankara.

Ajo ka lindur në Kore dhe është rritur në ishullin Guam, një territor i SHBA në Oqeanin Paqësor./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!