Kukësi vijon me afrimet. Pas portierit Anxhelo Tafa dhe mesfushorit Albin Gashi, një tjetër i ri ka nënshkruar për klubin verilindor. Ai është anësori i djathtë, Zenel Gavazaj, i cili stërvitet me Kukësin që në muajin janar.
I riu ka nënshkruar për dy vite dhe do të jetë tashmë në të njëjtin ekip me vëllanë e tij, Enis Gavazajn. Në të shkuarën Zeneli ka qenë pjesë e Lirisë së Prizrenit dhe Skënderbeut.
NJOFTIMI – “Zenel Gavazaj është zyrtarisht futbollisti i Kukësit! Mesfushori i djathtë ka firmosur me skuadrën tonë një kontratë 2 vjeçare dhe do të vihet nën urdhrat e trajnerit Gega ditën e nesërme.
Gavazaj është një futbollist që e njeh mirë skuadrën tonë, duke qenë se stërvitet prej muajsh me ekipin. I ardhur nga një dëmtim, Gavazaj ka arritur të riaftësohet dhe të stërvitet normalisht me ekipin, por pa mundur të regjistrohet brenda afatit për të qenë pjesë e skuadrës për sezonin që mbaroi.
20-vjeçari i talentuar ka luajtur edhe me moshat e Shqipërisë, ku së fundmi ka qenë pjesë e Shqipërisë U19, teksa te Kukësi gjen edhe vëllanë e tij, Enis Gavazajn. Mirë se vjen Zenel!”, shkruan klubi i Kukësit në njoftimin e bërë në faqen zyrtarë në “Facebook”. /abcnews.al