Zyrtarë të administratës Trump, të shqetësuar për ndërhyrjet ruse

schedule10:30 - 3 Gusht, 2018

schedule 10:30 - 3 Gusht, 2018

Zyrtarë të administratës Trump shprehën shqetësim për rrezikun për ndërhyrje në zgjedhjet e ardhshme amerikane. Drejtori i Shërbimeve amerikane të Zbulimit, Dan Coats, paralajmëroi se Rusia vazhdon “përpjekjet për të dobësuar dhe përçarë” Shtetet e Bashkuara para votimeve.“Vazhdojmë të shohim një fushatë të gjerë nga Rusia për të dobësuar dhe përçarë Shtetet e Bashkuara”. Ai shtoi se është “në dieni edhe të përpjekjeve nga vende të tjera që janë të interesuara të ndikojnë tek zhvillimet e brendshme politike” të Amerikës. Zoti Coats i bëri komentet në një konferencë për shtyp në Shtëpinë e Bardhë të enjten pasdite.

Këshilltari i presidentit për Sigurinë Kombëtare, John Bolton, Drejtori i FBI-së, Christopher Wray dhe Sekretarja për Sigurinë Kombëtare, Kirstjen Nielsen bërë gjithashtu komente në konferencën për shtyp.

Zoti Coats tha se Presidenti Donald Trump “na ka dhënë udhëzime të posaçme që ta trajtojmë rrezikun e ndërhyrjeve në zgjedhje dhe sigurinë e procesit tonë zgjedhor si një përparësi kryesore”.

Sekretarja e Sigurisë Kombëtare, Nielsen paralajmëroi: “Vetë demokracia jonë është në shenjestër”.

Presidenti Trump ka thënë se ka diskutuar me Presidentin rus Putin çështjen e ndërhyrjes ruse në zgjedhje, gjatë takimit muajin e kaluar në Helsinki. Gjatë konferencës së përbashkët për shtyp, pas bisedimeve me zotin Putin, Presidenti Trump i mbajti krahun udhëheqësit rus që mohoi se Moska kishte ndërhyrë në zgjedhjet e 2016 për të ndihmuar në fitoren e Donald Trumpit.

Pasi u përball me kritika të forta në vend, Presidenti Trump i tërhoqi komentet dhe tha se e pranonte përfundimin e shërbimeve amerikane të zbulimit se Rusia në fakt kishte ndërhyrë në procesin zgjedhor.

Prokurori i Posaçëm, Robert Mueller po kryeson procesin hetimor mbi ndërhyrjet ruse dhe nëse ka pasur bashkëpunim të fshehtë mes Moskës dhe fushatës Trump para zgjedhjeve 2016.

Zoti Trump e ka sulmuar në mënyrë të përsëritur procesin hetimor si “gjueti shtrigash”./VOA

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!