Zyrtare/ Reshjet e shumta problem, e Para dhe e Dyta nuk nisin këtë javë

schedule17:36 - 11 Janar, 2021

schedule 17:36 - 11 Janar, 2021

Gjatë ditëve të fundit vendi ynë është vënë në vështirësi të mëdha për shkak të reshjeve të shumta dhe sipërfaqe të konsiderueshme janë përmbytur, duke shkaktuar dëme të mëdha në infrastrukturë e bujqësi.

As stadiumet në qytete të ndryshme të vendit nuk kanë kaluar pa pasoja. Disa prej tyre, kryesisht impiantet e skuadrave të kategorive të ulëta, janë dëmtuar nga reshjet e shiut, çka e bën thuajse të pamundur zhvillimin e ndeshjeve në to.

Federata, duke parë këtë gjendje, njofton se është shtyrë në afat të papërcaktuar rinisja e Kategorisë së Parë dhe të Dytë. Klubet do njoftohen në një moment të dytë për rinisjen.

NJOFTIMI – Komiteti Ekzekutiv i Federatës Shqiptare të Futbollit ka vendosur ditën e sotme shtyrjen e rifillimit të aktivitetit për Kategorinë e Parë dhe Kategorinë e Dytë. Ky vendim u mor për shkak të kushteve të vështira atmosferike, që kanë krijuar problematika të mëdha në infrastrukturën e shumë skuadrave.

Vendimi qarkullues i KE-së i është komunikuar Sektorit të Garave në FSHF, që menjëherë ka bërë njoftimin e klubeve të Kategorisë së Parë dhe Kategorisë së Dytë për shtyrjen e javës së ardhshme të aktivitetit. Situata është në monitorim të vazhdueshëm dhe klubet do të njoftohen në një moment të dytë në lidhje me rifillimin e aktivitetit. /abcnews.al