Njoftimet e shumta të klubit të Kukësit një ditë më parë e kishin marrë përgjigjen, me Orges Shehin që do të pasojë Shpëtim Duron në krye të stafit teknik.
Klubi verilindor, mbrëmjen e djeshme bëri me dije se në orën 11:00, në sallën e konferencave të “Air Albania Stadium” do të prezantohej trajneri i ri dhe kështu ka ndodhur.
Orges Shehi, pas fluturimit nga Spanja drejt Rinasit, sot ka mbërritur në kryeqytet dhe ka dalë para mediave, duke u prezantuar si trajneri i ri i Kukësit.
Per durrsakun kjo është eksperienca e dytë si trajner. Një sezon më parë drejtoi ekipin e Skënderbeut dhe u rendit në vendin e katërt në tabelën e klasifikimit. Tani do të ketë detyrën e vështirë për të nxjerrë Kukesin kampion.
Aktualisht verilindorët renditen në vendin e dytë në klasifikim dhe kanë katër pikë më pak se Tirana kryesuese. Shehi do të debutojë ditën e mërkurë, në një ndeshje kundër Vllaznisë në “Elbasan Arena”. / abcnews.al