Diego Longo është trajneri italian i radhës që zbarkon në futbollin shqiptar. 45-vjeçari ka shëtitur shumë nëpër Evropë, ka krijuar eksperiencë si ndihmës trajner, teksa me skuadrën verilindore do të provojë aventurën e parë si timonier i parë.
Klubi i Superiores ka zyrtarizuar Longon si trajnerin e ri me anë të një video të postuar në faqen zyrtare, krahas së cilës lexohet: “Futboll Klub Kukësi njofton se Diego Longo është zyrtarisht trajneri i ri i skuadrës!
Tekniku italian vjen te ekipi ynë pas një aventure të gjatë si asistent në disa klube të njohura në Europë, por edhe në kombëtaren e Rumanisë! Tekniku 45-vjeçar ishte së fundmi ndihmës i Mircea Luçeskut në klubin e Dinamo Kiev.
Longo ka firmosur sot kontratën me ekipin tonë dhe së bashku me të, ka firmosur edhe asistenti, Amadeo Di Latte! Ish-portieri i Sampdorias dhe Livornos do të ketë rolin e ndihmës trajnerit në skuadër.
Trajneri do të prezantohet nesër para medieve në stadiumin “Air Albania”, në orën 12:30 minuta, teksa pasdite do të zhvillojë edhe stërvitjen e parë me ekipin.
Klubi i Kukësit i uron Longos suksese dhe punë të mbarë“, lexohet në komunikatën zyrtare të klubit të Kukësit. /abcnews.al