Zyrtare: Bruno Puja e mbyll me Kastriotin, Egnatia e bind

schedule10:40 - 12 Janar, 2021

schedule 10:40 - 12 Janar, 2021

Kastrioti ka zyrtarizuar një tjetër largim pas Sebino Plakut. Bëhet fjalë për portierin Bruno Puja, i cili i është bashkuar skuadrës së Egnatias në Kategorinë e Parë. Krutanët e kanë lënë të lirë portierin kavajas, i cili shpresonte të kishte hapësira në Superiore.

“KS Kastrioti bën me dije se ka mbyllur bashkëpunimin me portierin Bruno Puja, i cili prej më shumë se dy vitesh ishte pjesë e Kastriotit. Drejtuesit dhe portieri gjetën gjuhën e përbashkët për të mos e vijuar më bashkëpunimin dhe tashmë Puja është lojtar i lirë. KS Kastrioti e falënderon për kontributin e dhënë për klubin tonë, dhe i uron suksese në karrierën e tij futbollistike”, shkruhet në njoftimin e krutanëve.

Edhe vetë portieri Puja në rrjetet sociale ka deklaruar largimin dhe falënderon Kastriotin: “Prej ditës së sotme nuk jam më pjesë e Kastriotit! Dua të falënderoj veçanërisht presidentin, drejtorin, trajnerët me të cilët jam stërvitur, stafin teknik, si edhe të gjithë lojtarët me të cilët kam ndarë në këto 2 vite e gjysmë te kjo skuadër, ku kemi përjetuar emocionet e fitoreve apo zhgënjimet e humbjeve.

Periudha që kam qenë pjesë e kësaj skuadre ka qenë një hap përpara në karrierën time, ndaj i falënderoj të gjithë pa masë për mbështetjen dhe mundësinë e dhënë, duke mos harruar pa falënderuar për mbështetjen as tifozët e mrekullueshëm të Kastriotit, apo ato që punojnë në atë klub.

Dua që ti uroj suksese skuadrës në sezonin në vazhdim për të përmbushur objektivin sezonal. Ju them dhe njëherë faleminderit dhe mirupafshim, pasi lamtumirë nuk ju them dot”, shkruan Puja, i cili me fanellën e Kastriotit numëron 16 ndeshje mes Kategorisë së Parë dhe Superiores. /abcnews.al