Vllaznia përforcon repartin e sulmit. Fahrudin Djurdjevic është lojtari më i ri i ekipit nënkampion të Shqipërisë dhe fituesve të Kupës së Republikës.
29-vjeçari nga Maqedonia e Veriut, i cili ka firmosur për një vit me kuqeblutë, aktivizohet në qendër dhe në krahun e majtë të repartit ofensiv. Djurdevic ishte pjesë e Rabotnickit sezonin e kaluar, skuadër me të cilën shënoi 12 gola.
Më parë ka luajtur edhe me Vardarin, teksa është aktivizuar në Serbi, Bosnje dhe Çeki. Sulmuesi ka veshur edhe fanellat e kombëtareve U19 dhe U21 të Maqedonisë së Veriut.
“KF Vllaznia bën të ditur se mbrëmjen e sotme ka arritur marrëveshjen me sulmuesin Fahrudin Djurdjevic. Ai do të jetë pjesë e skuadrës tonë për sezonin e ardhshëm dhe do të bashkohet me të nesër në Podgoricë për të udhëtuar së bashku më pas drejt Zllatiborit për stërvitje.
Djurdjevic është 29 vjeç dhe përpos aktivizimit në kampionatin maqedonas, ka luajtur edhe në kampionate të tjera dhe me eksperiencën e tij pritet të jetë një element i rëndësishëm për Vllazninë si në ndeshjet europiane ashtu edhe në sezonin e ri të futbollit shqiptar“, shkruan Vllaznia. /abcnews.al