Zyra shërbimesh në Selitë, Veliaj: Sjellim shërbimin më afër qytetarëve

schedule16:21 - 14 Nëntor, 2018

schedule 16:21 - 14 Nëntor, 2018

Afrimi i shërbimeve pranë qytetarëve është synimi i Bashkisë së Tiranës. Kryebashkiaku Erion Veliaj e bëri të ditur në çeljen e zyrave të reja në zonën e Selitës.

Banorët e lagjes që përfshin zonën jugore të Tiranës, Selitën, Kodrën e Diellit apo edhe Liqenin e Thatë, nuk u duhet të udhëtojnë më drejt Farkës apo Njësisë 5 për të marrë një shërbim. Tani mund t’i marrin në zyrat e reja të Lagjes 13, në afërsi të Selitës. Kryebashkiaku Erion Veliaj e inauguroi bashkë me Ministrin për Diasporën Pandeli Majko.

Erion Veliaj, kryetar i Bashkisë së Tiranës: “Jam dyfish i gëzuar: së pari, si kryetar i Bashkisë ka qenë ëndërr që të afronim shërbimin tek qytetarët dhe që ky shërbim të reflektonte realitetin e Tiranës sot. Që do të thotë: nëse Tirana është rritur përtej vijës së verdhë, tek Unaza e Re, Kodra e Diellit, Kopshti Zoologjik, Kopshti Botanik dhe Liqeni i Thatë dhe pjesa tjetër tek Fresku, midis Dajtit dhe Kinostudios, atëherë shërbimet tona duhet të reflektojnë këto realitete, ndaj fillojmë me promovimin e lagjes së parë. Njësia administrative 13 është këtu në Rr. ‘Rrapo Hekali’”.

Ndërkohë, kryetari i bashkisë i bëri thirrje qyetarëve të përfitojnë nga amnistia dhe të transferojnë adresën pranë njësisë administrative ku banojnë.

“Do jem i pari që do përfitoj nga lagjja e re, do transferoj Ajolën, Kajanin dhe veten time këtu, për disa arsye: Së pari, se qendrën e votimit do ta kem këtu dhe nuk ka nevojë të transferohem në pjesën tjetër të Tiranës; së dyti, shërbimet do t’i marr këtu.”

Çdo banor i Tiranës duhet të regjistrohet në zonën ku ai jeton theksoi kryebashkiaku Veliaj në mënyrë që edhe ndarja e buxhetit për çdo zonë të bëhet siç duhet./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!