Të shtunën mbrëma, “dardanët” e Kosovës do të presin në mitikun e Prishtinës, “Fadil Vokrri”, “helvetët” e Zvicrës, në përballje e radhës të vlefshme për raundin kualifikues të Kampionatit Evropian të futbollit, Euro 2024.
I pranishëm në konferencën të shtyp, këtë të premte, në prag të sfidës me Zvicrën, përveç teknikut të “dardanëve”, Primozh Gliha ishte dhe kapiteni i skuadrës, Amir Rrahmani, i cili ashtu si tekniku slloven vlerësoi jo pak potencën e kundërshtarëve, por pranoi gjithashtu se Kosova Kosova ka punuar mirë në stërvitje dhe është gati të bëjë një ndeshje dinjitoze.
“Kemi një kundërshtar shumë të fortë, më të fortin në grup dhe këtë ndeshje e mirëprisnim, ndonëse jo në këtë moment, pasi kemi nevojë për shumë pikë. Megjithatë jemi të përgatitur për të bërë më të mirën në fushë.
Ka shumë lojtarë që luajnë me përfaqësuese të tjera. Ju përmendët dy, por ka edhe shumë të tjera. Me ata që unë kam folur, u kam thënë se është shumë e rëndësishme të luash për vendin tënd, për atë vend ku janë lindur dhe rritur ata, apo prindërit e tyre.
Zvicra është një kombëtare shumë e fortë dhe shkon gjithmonë në Evropian apo Botëror. Janë shumë të fortë dhe bëhen edhe më të fortë me futbollistët shqiptarë që kanë në grup. Është diçka normale, pasi futbollistët kosovarë e kanë përfaqësuar edhe më herët Zvicrën, ashtu si shumë të tjerë që jetojnë atje.
Kam marrëdhënie më të mira me Granitin, pasi dëgjohemi më shpesh, por nuk kemi folur shumë për këtë ndeshje. Të dy janë shqiptarë dhe krenohemi me ta. Jemi krenuar kur kanë shënuar ndaj Serbisë dhe krenohemi për të gjithë sukseset e tyre”,- u shpreh kapiteni i “dardanëve”. /i.m /abcnews.al