Zvicër, dënohet politikani për diskriminim racor

schedule18:25 - 5 Qershor, 2024

schedule 18:25 - 5 Qershor, 2024

Gjykata Federale në Lozanë, si shkalla më e lartë e gjyqësisë në Zvicër ka dënuar politikanin e SVP-së nga Kantoni Aargau, Naveen Hofstetter për diskriminim racor. Kështu gjykata në fjalë ka konfirmuar një vendim të gjykatës më të ulët, e cila e kishte dënuar Hofstetter me një gjobë me kusht prej rreth 12,000 frangash dhe një gjobë prej 2,500 frangash.

Politikani kishte publikuar tre postime në “Facebook” në prag të votimit për referendumin “Martesa për të gjithë”.

Sipas gjykatave, në këto postime ai ka denigruar njerëzit nga Afrika dhe çiftet e gjinisë së njëjtë.

Sipas Gjykatës Federale, kontributet e Naveen Hofstetter shkuan përtej asaj që lejohet si përshkallëzim në politikë, shkruan srf.ch. Deklaratat gjithashtu nuk ishin një kontribut objektiv në një debat politik. Sipas gjykatës, vendimi për dënimin e politikanit është në përputhje me lirinë e shprehjes.

Hofstetter në i ka deklaruar Gjykatës së Lartë (Kantonale) të Aargaut se postimet e tij në “Facebook” ishin një “reagim i shpejtë”. Ai nuk donte të sulmonte askënd. Deklaratat ishin shumë të ekzagjeruara.

Politikani Naveen Hofstetter është me prejardhje nga India dhe ka rënë në sy me deklarimet e tij të shpeshta problematike që konsiderohen si raciste.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!