Sërish është shtyrë seanca paraprake ku Gjykata e Posaçme pritet të vendosë nëse do të kalojë apo jo për gjykim dosja për privatizimin e ish-kompleksit sportiv Partizani, ku të pandehur janë ish-kryeministri Sali Berisha i hetuar për korrupsion, dhëndri i tij dhe tre persona të tjerë.
Edhe këtë të premte, shkak u bë mungesa e avokatit të Xhimi Begesë, që akuzohet nga SPAK për pastrim parash. Gjykata e posaçme do të vendosë më 15 prill, nëse dosja Partizani do të kalojë për gjykim, ose të kthehet pas për plotësim hetimesh apo do të pushohet.
SPAK nisi hetimet për Berishën me akuzën e korrupsionit pasiv, pasi ka dyshime se ka nxjerrë akte nën ligjore për t’i ardhur në ndihmë dhëndrit të tij me qëllim përfitimin e pronës në kundërshtim me ligjin.
Ndërsa Malltezi u hetua për korrupsion aktiv dhe pastrim parash. Për Berishën e Malltezin, por edhe 3 persona të tjerë u caktuan masa sigurie prej tetorit të vitit 2023.
Ish-kryeministri refuzoi të zbatonte masën e parë të caktuar nga gjykata e posacme dhe ndaj tij u caktua masa e dytë ajo e arrestit në shtëpi. Pas qëndrimit në banesë për më shumë se 11 muaj, atij iu shfuqizua masa shtrënguese, por me vendim të Apelit të Posaçëm në janar të këtij viti iu caktua detyrim paraqitje./abcnews.al