Zv/ministrja e brendshme Voda: Kemi pistat e hetimit për rrëmbimin e 49 vjeçarit në Kamëz

schedule23:00 / 22/01/2020

Mbrëmjen e sotme në emisionin Byro Politike me gazetaren Juli Xhokaxhi, ka qenë e ftuar Zv/ ministrja e brendshme Rovena Voda. Voda është pyetur në lidhje me rrëmbimin e një personi përpara 1 jave në Kamëz. Ngjarje për të cilën policia, nuk ka patur një komunikim zyrtar në lidhje me të.

E pyetur nga gazetari Mentor Kikia, se çfarë po bënte policia në lidhje me këtë ngjarje të rëndë, Voda tha se është arritur të zbulohen arsyet e rrëmbimit, dhe se grupi hetimor po punon ende. Kjo çështje, tha Voda është në rrugë të mbarë për zbulimin e plotë të saj.

Pjesë nga biseda në studio:

Juli Xhokaxhi: Është rrëmbyer një njeri përpara 1 jave, dhe nuk kemi asnjë komunikim publik nga rendi, çfarë ka ndodhur?

Mentor Kikia: Kemi një njeri të rrëmbyer në mes të ditës, në mes të lagjes, i cili është dhunuar, dhe nuk kemi ende një komunikim publik të policisë së shtetit, çfarë ka ndodhur dhe çfarë kemi deri tani? Policia dhe prokuroria ka dalë në konferencë shtypi, paradë mode, për të treguar sa mirë kishin bashkëpunuar dhe se kishin arrestuar nja 30 vetë, që u liruan të nesërmen. Për ngjarje të tjera komunikimi me median është zero. Ngjarjet sado të rënda, kanë nevojë për një komunikim, sepse krijojnë panik tek publiku kur nuk ka informacion.

Rovena Voda: Kuptoj gjithë kuriozitetin e medias për të ditur çfarë po ndodh. Është një ngjarje e rëndë. Edhe në këto momente që flasim në Drejtorinë e Tiranës po punon grupi i përbashkët hetimor i Departamentit të Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, bashkë me disa prokurorë që po hetojnë çështjen, është arritur deri diku të kuptohet se cilat kanë qenë shkaqet e rrëmbimit. Është arritur të zbulohen shkaqet e rrëmbimit. Pra kemi pista hetimi, dhe kjo është shumë e rëndësishme, më tepër nuk mund të flas. Di t’ju them se po punohet fort për zbulimin e kësaj ngjarje.

Në mesditën e 17 janarit një 49 vjeçar u rrëmbye në qendër të kamzës në rrugën “London”. Bëhet fjalë për Jakë Prenga, i cili në momentin e rrëmbimit ndodhej në automjetin e tij.

Deri më sot nuk ka asnjë të dhënë zyrtare dhe jozyrtare, se cili ka qenë autori/ët dhe cfarë po bëhet me këtë ngjarje./abcnews.al

schedule23:00 / 22/01/2020