Zv/ministrja e Brendshme, Rovena Voda, u shpreh në emisionin “Provokacija” nga Msutafa Nano se Shqipëria është një vend tranzit i trafiqeve. Kjo sipas saj vjen për shkak të pozitës gjeografike. Të njëjtën problem e kanë edhe Spanja apo vendet tona fqinje. Në këtë mënyrë ajo i ktheu përgjigje një shkrimi të publikuar në mediat britanike ku Shqipëria konsiderohet si një nga qendrat e drogërave të forta.
“Shqipëria në fakt është një vend tranzit i emigracionit. Ka refugjatë që vijnë në Shqipëri, por nuk e shohin Shqipërinë si destinacionin final. Të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor që janë prekur nga emigracioni vitet e fundit. Çdo vend që ka një pozitë gjeografike si Shqipëria, pra një vend i Mesdheut që laget nga dy dete, që për shkak të pozicionit gjeografik gjithmonë është një vend i lakmuar, sepse e thashë që krimi është gjithmonë një hap para, Shqipëria mund të jetë vend tranzit për të gjitha llojet e trafiqeve. Të thuash vend kryesor për mua është dashakeqëse. Për të gjitha shkrimet që kam lexuar apo raportet e organizatave ndërkombëtare pranohet botërisht që Turqia njihet si një vend që është tranzit i drogërave të forta. Nuk është thënë kurrë për Shqipërinë në raporte serioze që është vend kryesor, se të thuash është vend kryesor realisht vihet në pikëpyetje çfarë bën qeveria, çfarë bën Ministria e brendshme. Por që është vend tranzit nuk i shmanget as Greqia që është vendi ynë fqinj në BE, por nuk i shmanget as Italia as edhe Spanja se e dimë që është një vend tranzit i kokainës apo drogërave të forta që shkojnë më pas në Britaninë e Madhe. Të thuash që është vend kryesor kjo është një fjali e padrejtë dhe shumë e rëndë për t’iu faturuar qeverisë shqiptare”, tha zv/ministrja.
Më tej, zv/ministrja u shpreh se Shqipëria ka pasur rritje të bashkëpunimit ndërkombëtar policor mes vendeve fqinje dhe atyre që janë larg nesh gjografikisht.
“Jam shumë kritike sepse po mundohem të flas me objektivitet çfarë ne po bëjmë në kuadër të rritjes së kontrollit kufitar dhe goditjes së grupeve kriminale dhe do dal te një gjë tjetër pse. Shqipëria ka pasur vitet e fundit një rritje të shkëlqyer të bashkëpunimit ndërkombëtar policor edhe me vendet fqinje, me Italinë historikisht. Por një marrëdhënie shumë të mirë edhe me shtetin grek. Ka pasur protokolle dhe marrëveshje edhe me vendet tona fqinje që nuk janë pjesë e BE-së, por që nuk është çudi që krimi lëviz edhe në ato vende. Rritje të bashkëpunimit ndërkombëtar me vende që janë larg nesh, siç është Franca, Belgjika, Holanda, pse jo dhe Britania e Madhe. Në një kohë që krimi vepron ndërkombëtarisht lind detyrë edhe e autoriteteve britanike, por edhe mediave britanike të reflektojnë se duhet më shumë proaktivitet nga të gjitha agjencitë ligjzbatuese të këtyre vendeve që të bashkëpunojnë me Shqipërinë për dosje dhe informacione që kanë për të luftuar krimin”, u shpreh ajo./abcnew.sal