Zv/kryetari i LSI-së, Luan Rama i ka bërë edhe njëherë apel mazhorancës të reflektojë për krizën në të cilën ndodhet vendi dhe të angazhohet për një bashkëpunim me opozitën në funksion të zgjidhjes së krizës politike.
Në një dalje për mediat, Rama theksoi se kushtet e vendosura nga grupet parlamentare të CDU/CSU për çeljen e negociatave duhet të jenë një moment reflektimi për mazhorancën dhe kryeministrin Rama.
“Në emër të LSI duke e lexuar me realizëm mesazhin që na vjen nga parlamenti gjerman apelojmë mbi domosdoshmërinë që merr në këto kushte dialogu politik jo si farsë por si institucion në një shoqëri demokratike, ku interesat e vendit dhe prioriteti për integrimin evropian të Shqipërisë prevalon dhe vihet mbi gjithçka tjetër. Është për të ardhur keq që vullnetit të mirë të shprehur nga opozita për të ulur në dialog, për të marrë të gjitha kushtet që duhet të përmbushë Shqipëria një për një, përgjegjësinë dhe për t’ua angazhuar në plotësimin e tyre ka gjetur një qëndrim refraktar dhe të papërgjegjshëm nga ana e kryeministrit të vendit”, tha Luan Rama./abcnews.al