Zuckerberg: Edhe të dhënat e mia u keqpërdorën

schedule19:20 - 11 Prill, 2018

schedule 19:20 - 11 Prill, 2018

Në ditën e dytë të dëshmisë në Kongresin amerikan, Mark Zuckerberg ka deklaruar se edhe të dhënat e tij personale u keqpërdorën nga “Cambridge Analytica”, por nga ana tjetër ka mbrojtur praktikat për ruajtjen e privatësisë, duke thënë se përdoruesit kanë kontroll mbi to.

Shefi ekzekutiv i Facebook, Mark Zuckerberg ka vijuar të mërkurën dëshminë e tij në Kongresin amerikan, ku u ka thënë ligjvënësve se edhe të dhënat e tij personale ishin mes atyre të përfituara ilegalisht nga kompania “Cambridge Analytica”. Por ai kundërshtoi deklaratat e anëtarëve të komisionit se përdoruesit e Facebook nuk kishin mjaftueshëm kontroll mbi të dhënat e tyre në rrjetin social.

“Sa herë që dikush vendos të ndajë diçka, aty është një opsion kontrolli. Nuk është i fshehur diku mes opsioneve të tjera, por është aty dhe i dukshëm”, tha manjati 33-vjeçar i internetit.

Zuckerberg u përball me shqetësimet e ngritura nga anëtarët e Kongresit, kur u pyet se çfarë po bëhet për t’u dhënë përdoruesve më shumë fleksibilitet për të zgjedhur ndarjen ose jo të të dhënave personale me Facebook apo palë të treta.

“Si mund të kenë përdoruesit kontroll mbi të dhënat e tyre kur vetë Facebook nuk ka kontroll mbi to?”, pyeti kongresmeni demokrat Frank Palone në fillim të seancës.

Në përgjigjen e tij, Zuckerberg mbrojti praktikat e privatësisë së kompanisë së tij, duke thënë se përdoruesit i kontrollojnë vetë të dhënat e tyre dhe sërish vetë vendosin se çfarë të ndajnë me miqtë e tyre. Facebook është përfshirë së fundmi nga një valë polemikash, pas publikimit të lajmit për ofrimin e të dhënave personale të 87 milionë përdoruesve tek kompania e këshillimit politik “Cambridge Analytica”, me qëllim favorizimin e Donald Trump në garën presidenciale të vitit 2016./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!