SHKODËR- Me shtëpi karakteristike buzë ujit, natyrë të paprekur dhe një qetësi që të largon nga zhurma e përditshmërisë, Zogaj është zgjedhja ideale për pushues vendas dhe të huaj.
Zona po kthehet gjithnjë dhe më shumë në një nga destinacionet më të kërkuara. Fshati ndodhet vetëm pak kilometra larg nga qyteti i Shkodrës.
Peizazhi i mrekullueshëm, ku bashkohen qetësia e liqenit dhe gjelbërimi i malit të Taraboshit, ofron jo vetëm relaks, por edhe mundësi për eksplorim, shëtitje, not dhe udhëtime me varka. Bukuria e natyrës dhe mikpritja tradicionale kanë bërë që këtë verë, Zogaj të vizitohet nga turistë nga gjithë bota.
“Jemi nga Belgjika, është hera e parë që ne vizitojmë Shqipërinë dhe është hera jonë e parë këtu, sigurisht, dhe ne po e shijojmë vërtet. Liqeni këtu ka një pamje shumë të këndshme. Kemi parë shumë zogj, peshq, specie të tjera dhe po, ishte diçka për të cilën po kërkonim për pushimet tona. Do qëndrojmë rreth 5 ditë këtu, dhe në Shqipëri në total 2 javë. Ndoshta do e mbanim sekret vetëm për vete, por mendoj që kur të kthehemi do flasim për këtë vend, sepse është vërtet i bukur dhe ne vërtet e shijuam këtu”, tha një çift.
” Jam nga Kanadaja, Montreali. Do të qëndrojmë dy ditë. Na pëlqen liqeni, mali, njerëzit, është shumë bukur, shumë i veçantë. Ishte e mrekullueshme të notoje këtu gjatë perëndimit të diellit”, pohoi një pushuese.
Në Zogaj nuk ka ende hotele të mëdha, por turizmi është zhvilluar përmes bujtinave dhe dhomave të ofruara nga vetë banorët, duke ruajtur autenticitetin dhe kontaktin e drejtpërdrejtë me jetën rurale shqiptare.
Me potencial të madh për zhvillim të qëndrueshëm turistik, Zogaj mbetet një thesar natyror e kulturor që i jep Shkodrës një dimension të ri në hartën turistike të Shqipërisë dhe duhet zbuluar patjetër./abcnews.al