Zjarrvëniet/ Rama: 62 persona nën hetim dhe 20 në burg. Prokurorët dhe gjykatësit të zbatojnë rreptësisht ligjin

schedule17:01 - 31 Korrik, 2023

schedule 17:01 - 31 Korrik, 2023

Tre persona që dyshohet se i vunë zjarrin sipërfaqeve të mëdha të tokës në Kavajë, Lushnje e Lazarat janë identifikuar nga policia e shtetit, ku një prej tyre është vënë në pranga dhe 2 të tjerë po hetohen në gjendje të lirë.

Polica e Kavajës ka arrestuar 65-vjeçarin Përparim Uka në fshatin Lekaj pasi ka ndezuar zjarrin për djegien e kashtës në tokën e tij, por flakët kanë dalë jashtë kontrollit  duke vënë në rrezik disa banesa që ndodhen aty pranë.

U desh ndërhyrja e forcave zjarrfikëse për të shuar flakët. Ndërkohë i proceduar në gjendje të lirë është një 58-vjeçar nga Lazarati që i ka vënë flakën mbetjeve të grurit, por zjarri u përhap dhe dogji rreth 5 dynym tokë.

Edhe një 43-vjeçare nga Lushnja u procedua në gjendje të lirë pas dyshimeve se zjarri që ndezi për djegien e mbeturinave doli jashtë kontrollit dhe dogji një sipërfaqe me bimësi në prone. Ndërsa Instituti i Gjeo-shkencava ka paralajmëruar se zonat me rrezik të lartë për zjarre janë në Qarkun e Fierit dhe disa zona në Shkodër, Kukës, Korçë, Vlorë dhe Gjirokastër.

Për kapjen e autorëve të zjarrvënieve në pyje e zona të gjelbra, policia e shtetit ka bërë një bilanc të punës ku thotë se nga 79 raste, janë zbardhur 55, me 62 autorë të proceduar.

Prej 62 autorëve të hetuar, 20 zjarrvënës janë në arrest me burg, ndërsa të tjerët ndiqen në gjendje të lirë.

Kryeministri i vendit bëri një apel për drejtësinë, pasi sipas tij mungon ndëshkueshmëria e plotë nga qasja skandaloze e prokurorëve, që me idenferencën e tyre nuk frenojnë  një krim si zjarrvënia mbi një pasuri kaq të vyer.

“Me ndryshimet që i kemi bërë vitet e fundit Kodit Penal, zjarrvënia e pyjeve dënohet deri në 15 vjet burg dhe në tasin e kësaj fare të keqe prokurorësh pa atdhe, ka deri edhe disa syresh që gjatë viteve të shkuara kanë shpallur deri mosfillimin fare të çështjes penale për zjarrvënësit, thotë kryeministri në një reagim në “Facebook”.

 

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!