Pesë ditë pas zjarrit që shkrumboi tregun e fruta-perimeve në Lushnjë, policia ka vënë në pranga autorin e dytë të dyshuar si të përfshirë në këtë ngjarje. Në prangat e policisë ka rënë 48-vjeccari, Klodian Çina, i cili u arrestua në Durrës, ku dyshohet se ishte fshehur pas ngjarjes. Arrestimi i tij u bë në bashkëpunim të policisë Lushnje me atë të Durrësit, në kuadër të operacionit policor të koduar “Zjarrvënësi”.
Sipas hetimeve paraprake, Çina dyshohet se në orët e para të mëngjesit të 19 majit 2026, së bashku me dy persona të tjerë i vunë zjarrin tregut të fruta-perimeve në lagjen “Xhevdet Nepravishta”, duke shkaktuar dëme të mëdha materiale.
Hetimet kanë zbuluar gjithashtu se 48-vjeçari dyshohet të jetë autor edhe i vjedhjes së një biçiklete në Lushnjë, të cilën e kishte përdorur për të lëvizur në qytet përpara ngjarjes. Mjeti është sekuestruar nga policia në cilësinë e provës materiale.
Ndërkohë, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm në Fier, vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë të ngjarjes dhe identifikimin e personave të tjerë që mund të kenë lidhje me këtë rast.
Zjarri që përfshiu tregun publik të Lushnjes shkrumboi pothuasje të gjithë strukturën dhe produktet e depozituara në tezga të të paktën 25 tregtarëve. Tregu frekuentohet nga 150 tregtarë të cilët do të ushtrojnë aktivitetin në rrugën aty pranë deri në riparimin e strukturës së djegur.


