Sërish ndihmë nga Kosova për të shuar flakët në Shqipëri. Administrata Rajonale e Zonave të Mbrojtura Kukës njofton se vatra e zjarrit brenda parkut Korab-Koritnik është izoluar plotësisht edhe me ndihmën e zjarrfikësve nga Kosova.
“Është izoluar plotësisht zjarri i shfaqur me dt.19.08.2021 në orēn 10:15 në vendin e quajtur Koritnik brenda PN Korab-Koritnik,nga punonjësit e AdZM-së Kukes, të Nj.Ad Tërthore, zjarrfikës nga Kosova si dhe vullnetarë të tjerë që gjej rastin ti falenderoj për kontributin e dhënë.
Kjo vatër zjarri ka përshkruar një sipërfaqe afërsisht 3 ha në pyje të lartë rrobulli, pishë e zezë dhe bredh i bardhë e cila po mbahet nën monitorim për ndonjë riaktivizim të mundëshëm nga punonjësit tanë” thuhet në njoftim.
Ndërkohë që pak javë më parë me ndihmën e efektivëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës u shmang katastrofa e zjarrit në tunelin e Kalimashit. “Zjarri s’njeh kufi. Kosovë & Shqipëri. JEMI NJË” shkruante një nga zyrtarët e Kosovës që erdhi në ndihmë të forcave shqiptare./ Abcnews.al