Prej mesditës së sotme vijon zjarri që ka përfshirë zonën pyjore të Hidrovorit në Seman. Flakët kanë përfshirë pishat, shkurret dhe ferrat që ndodhen në këtë zonë. Zija Hyka, shef i repartit të zjarrfikëses në Fier u shpreh se sipërfaqja që ndodhet në pushtetin e flakëve është 5-6 hektarë.
“Reparti zjarrfikëses është njoftuar për një zjarr në Seman rreth orës 12:30 dhe është nisur zjarrfikësja. U bë vlerësimi i situatës, u pa që zjarri kishte përmasa dhe u morën masa të tjera, u njoftuan edhe dy grupe të tjera. Në vendin e ngjarjes janë tre grupe me 17 zjarrfikës, shërbimi pyjor, emergjencave të bashkisë me botin me ujë.
Ka një sipërfaqe 5-6 hektarë pishë nën kurorë, shkurre dhe ferra, zjarri vijon. Po mundohemi me forcat tona me mjete, ujë dhe krah për të fikur zjarrin” tha ai. Kjo nuk është hera e parë që masivi pyjor i Semanit përfshihet nga flakët. db/Abcnews.al