Një hotel luksoz në qendër të Londrës, u përfshi nga flakët e zjarrit, por falë ndërhyrjes së shpejtë të zjarrfikesve nuk pati persona të lënduar. Hoteli me 5 yje “Mandarin Oriental”, muajin e kaluar kishte përfunduar restaurimin me vlerë 185 milionë paund.
Një zjarr masiv përfshiu pasditen e së mërkurës në qendër të Londrës hotelin luksoz “Mandarin Oriental”. Zjarri u përhap me shpejtësi dhe reja e tymit të zi mund të shihej qartë nga të gjitha zonat e metropolit.
Mbi 100 zjarrfikës me 20 makina u angazhuan për të vënë nën kontroll situatën në lagjen e njohur “Najtsbrixh”. Efektivët hynë menjëherë në godinë dhe evakuuan të pranishmit, me të cilëve ishte edhe këngëtari i njohur britanik Robi Uilliams.
Në kuadër të masave të marra, policia evakuoi edhe banorët e ndërtesave përreth. Për fat të mirë nga zjarri nuk pati të lënduar, por motivet e rënies së tij janë ende të paqarta. “Mandarin Oriental”, me 12 kate, është një nga hotelet më luksoze të Londrës dhe një natë në të kushton 600 paund.
Vetëm pak javë më parë ai kishte përfunduar restaurimin më të shtrenjtë në historinë e tij 115-vjeçare, plot 185 milionë paund dhe kishte rihapur dyert më 29 Maj. Subjekti është në pronësi të një kompanie kineze me bazë në Hong Kong, që zotëron një zinxhir hotelesh./abcnews.al